Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i sugjeron mazhorancës që të rikthehet për opinion tek Komisioni i Venecias përpara se të votojë në Parlament ndryshimet në ligjin e medias.
Përfaqësuesi për median në këtë institucion, mohoi të ketë dijeni për draftin e ri mbi të cilin po punojnë socialistët, që nga ana tjetër pretendojnë se po konsultohen me ekspertë ndërkombëtarë.
Mazhoranca garanton se po ecën në këtë drejtim, duke nisur me AMA-n dhe Këshillin e Ankesave, që do të përbëhet nga emra të pavarur dhe jo të mbëshetur politikisht.Por, opozita vijon të ketë skepticizmin e saj.
Kritikë e fortë e Venecias janë edhe gjobat e papërballueshme nga buxhetet e mediave “online”. Shumica konfirmon se do të ndërhyjë në draft për të ruajtur një proporcion me të ardhurat e medias së gjobitur.
Përtej ndryshimeve në ligj, opozita këmbëngul në nevojën për vetërregullimin e medias. Vetërregullimi ishte gjithashtu pjesë e sugjerimeve të Venecias dhe tashmë 11 publikime “online” kanë krijuar Aleancën për Etikën në Media, duke zgjedhur edhe bordin që do të japë një listë rekomandimesh.