Pandemia e “Detit” përherë e më shumë po nxjerr në dukje se sa në ndikim e sipër janë të panjohurat dhe të fshehtat e virusit. Kështu po ndodh edhe me detin, që s’po e ndajmë dot me fqinjën tonë, Republikën e Greqisë.
Tani që Kapiten (L) Meçollari nuk është më në grupin negociator dhe po kështu qeveritë kanë vendosur që ta çojnë “detin e pandarë” në Gjykatën e Botës (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë) në Hagë apo Hamburg, diskutimet sqarojnë, por nuk i prishin punë këtij vendimi. Meçollari për të dytën herë po na zbulon se cilit janë faktorët thelborë që janë shqyrtuar në negociatat 2018-2019, duke bërë edhe krahasimet me marrëveshjen e vitit 2009, e cila është e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vitin 2010. Tani mund ta marrim me mend se cila ka qenë pengesa e pakapërcyeshme për veprime të mëtutjeshme lidhur me negociatat, e kjo pengesë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, por edhe mosdashja e vendosur e palës tjetër.
Doli në pah se ndër diskutimet me vlerë për të gjetur një të mesme të pranueshme midis dy vendeve, afrohet si zgjidhje: “Vija e drejtë bazë Strait Base line”, të cilën e ka propozuar vetë Meçollari. Kjo është një terminologji e panjohur për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe e papranueshme. Vija e Drejtë Bazë që është sjellë në tavolinë të bisedimeve është një mjet kyç i propozuar, që duket se e ka kënaqur edhe palën tjetër. Është gjetur një solucion gjeometrik i ri, siç është kjo vijë shpëtuese, e cila është shfuqizuar në vitin 2011; dhe pse në këtë status të bllokuar, palët kanë pranuar që ta përdorin atë si qendër diskutimi.
Kjo vijë e magjisë është një vijë e drejtë bashkuese nga Gjiri i Grammës deri në Gjirin e Tetranisit (Ksamil), që “mbyll” edhe Gjirin e Sarandës. Nga pikëpamja teknike, kjo vijë nuk qëndron për karakterin e relievit dhe të thyerjeve sipas përkufizimeve të Konventës, sepse bregu nuk e ka atë përthyerje që kërkohet për ta kushtëzuar. Dhe palët, në diskutime prej atyre çka i kanë shfaqur edhe në dalje në “News 24”, e përdorin këtë gjetje, të njëanshme si mjet shpëtimi, pa bërë paralel edhe vijën bazore të shtetit fqinjë.
Si do të gjendet ajo vijë delimituese që përmend Meçollari, pa vijën përgjegjëse në bregun e Korfuzit, ku ishujt merren me efekt të plotë, e kjo bën që vija bazë të diktohet në pabarazi. Grupi negociator, ku përfshihet edhe Meçollari, ka bërë përuljen më të madhe përpara fqinjit, që të gjejë një “vijë diplomatike të paqenë dhe joligjore”, e cila nuk përputhet me konceptimet e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila ka vënë në dukje zbatimin dhe përdorimin e parimit te “ekitesëequitable Solution= ndarje e barabartë dhe e ndershme) si dhe metodës së “Vijës së mesme, të korrektuar dhe modifikuar, për shkak të tërësisë së pranisë së ishujve dhe cekinave shkëmbore”.
Pa këtë korrektim thelbësor, as që mund të mendohet se do të merret një produkt barazie dhe ndershmërie në ndarje. Tani plotësohet edhe kumti, i cili u zbulua në televizionin “News 24”, për një 9%, ndryshim në vijën delimituese, që mund të jetë 145-150 km2. Ky ishte produkti skandaloz që iu bë i ditur shqiptarëve. Kjo vijë e drejtë bazë nuk ka asnjë lloj efekti, vetëm është një vijë iluzive që do ta çonte Shqipërinë sërish në humbje, në pushtim të një pjese të Detit Territorial në Kanalin e Korfuzit dhe Hapësirës Ekonomike Ekskluzive në Ngushticën e Otrantos. Nga shkrimi i Meçollarit po marrim vesh edhe atë, që ai nuk e ka thënë më parë: “Se pala greke ka pasur një ‘VIJË DELIMITUESE’ në vitin 2018. Kjo, me sa duket, është dhe draftmarrëveshja aq shumë e përfolur për transparencë, që është firmosur nga grupi negociator. “E vërteta është bijë e kohës (Veritas filia Temporis), siç thotë Latini. Kjo është një e “vërtetë e dhimbshme” e grupit negociator, i cili, ashtu sikundër dhe ai i vitit 2008-2009, ka qenë jashtë qendrës së kontributeve shkencore e tekniko-ligjore, për të mbrojtur Detin e Shqipërisë.
Prandaj, vendimi i dy qeverive për ta çuar në Hagë ose Hamburg ndarjen e kufijve detarë, edhe pse do të jetë një zgjidhje e vështirë dhe me shumë të panjohura, ajo do të sjellë një tregues shpresëdhënës, atë që gjithçka do të fillojë nga e para, duke u shuar gjithë hamendjet dhe vijat delimituese, që mund të jenë projektuar në këto njëmbëdhjetë vjet që shkuan.