Me 86 vota pro, 11 kundër, 4 abstenim Kuvendi ka miratuar projektligjin për disa ndryshime në ligjin e “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” të ndryshuar, dhe me 88 vota pro, 13 kundër dhe 4 abstenim projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”.
Të dyja këto nisma synojnë ndalimin e ndërtimeve pa leje në vend, ndëshkimin me gjobë, konfiskim të objektit e deri në shembje të gjithë ata që shkelin lejen e ndërtimit. Kjo paketë ka si qëllim edhe rritjen e sigurisë dhe cilësisë për ndërtimet në vend.
“U vu re se legjislacioni civil dhe ai penal paraqiste një boshllëk ligjor në drejtim të identifikimit të përgjegjësisë civile dhe penale dhe ndëshkueshmërisë të subjekteve që veprojnë haptazi në kundërshtim me ligjin. Nëpërmjet kësaj pakete përcaktohen përgjegjësia penale e subjekteve që janë të përfshirë në ndërtimin e objekteve të cilët kanë vepruar në mënyrë abuzive dhe në kundërshtim me rregullat teknike dhe rregullat ligjore në fuqi, por gjithashtu edhe përgjegjësi penale. Është marrë në konsideratë rëndësia që paraqet zona bregdetare për zhvillimin urban të vendit duke kërkuar një shtesë në kompetencat e KKT, duke përfshirë edhe vendimmarrjen për leje ndërtimi apo zhvillimi për objektet brenda këtij brezi”, u shpreh në Kuvend Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Nga foltorja e Kuvendit Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u shpreh se nëpërmjet kësaj pakete ligjore të ndërmarrë pas tërmeteve të vitit të kaluar do të ngarkohet me përgjegjësi penale ndërtuesi i objektit.
“Në këtë projektligj synohet të rregullohen përgjegjësitë e zhvilluesit i cili gjithashtu është parë shumë i rëndësishëm për tu specifikuar në ligj, i cili do të konsiderohet si një person përgjegjës edhe në rastin si në rastin e dorëzimit të kontratave të sigurimit por edhe në rast se objekti ndërtohet në shkelje të kushteve të lejes duke marrë përsipër mbulimin e të gjitha kostove që mund të nevojiten. Por njëkohësisht edhe të dorëzimit tek blerësit të policit të sigurimit me afat 10 vjeçar që të mbulojë dëmet e ndërtesës. Në këtë projektligj saktësohet edhe mënyra e trajtimit të ndërtimit pa leje duke vendosur sanksione kur ndërtimet rezultojnë si shtesa kati apo shtesa volumi anësore”, tha Gjonaj.
Me këto ndryshime të miratuar ata që shkelin lejet e ndërtimit do të marrin gjoba deri në 40% më të larta dhe rrezikojnë burgun.
Ndërkohë në Kuvend u miratua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me bashkëpunimin për përdorimin e informacioneve mbi udhëtarët, u votua emërimi i një anëtari të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare si dhe projektvendimi “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr. 10.129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile” të ndryshuar.