Manaus është qyteti më i populluar në të gjithë rajonin e Amazonës, me mbi 2 milion banorë, kryeqyteti financiar dhe industrial i verilindjes së Brazilit. Ai është gjithashtu një nga destinacionet kryesore turistike, jo shumë larg pyllit dhe me të gjitha gjurmët historike të regjimit kolonial.
Ka qenë gjitnjë qendër e rëndësishme e jetës dhe shkëmbimit. Por tani është edhe një laborator për studimin e imunitetit të famshëm të tufës, aq i lakuar gjatë pandemisë së koronavirusit. Nuk është rastësi që është një nga vendet me më shumë të prekur.
Në prill dhe maj, spitalet nuk mund t’i përballonin të sëmurët. Viktimat ishin aq të shumta saqë sa varrezat nuk mjaftuan dhe u krijuan zona për varrime masive.
Brazili kurrë nuk e ka marrë seriozisht pandeminë dhe Presidenti Bolsonaro prek kohësh e ka mohuar rrezikun e saj. Nuk është vendosur kurrë karantina, aktivitetet nuk janë kufizuar, distanca sociale dhe maskat nuk janë imponuar. Jeta ka vijuar si zakonisht. Mbi 4 000 njerëz kanë vdekur dhe shkalla e vdekjes ishte 4 herë më e lartë se sa pritej, pavarësisht se vetëm 6 për qind të popullsisë i kalon 60 vjeç.
Atëherë ndodhi ajo që shpresohet në të gjithë botën: papritmas numri i rasteve ra. Nga 1 300 shtrime në ditë në maj, arriti në 300 në gusht. Në qershor, shifrat u përmirësuan edhe më tej. Dhe të vdekurit shkuan nga 120, në pothuajse zero. Spitalet e urgjencës janë mbyllur. Në një vend si Brazili, me mbi 3.6 milion njerëz të infektuar dhe 114 000 të vdekur, manifestimi i një ndalimi të papritur të trendit të infeksionit, në një nga zonat më të ngarkuara urbane, i befasoi mjekët.
Kanë qenë të shumtë ata që kanë menduar se çfarë mund të ketë ndodhur dhe disa supozuan se kaq shumë njerëz ishin sëmurur saqë virusi në një moment nuk gjeti më njerëz të rinj për të infektuar. Imuniteti i famshëm i tufës mbase ishte arritur dhe po shfaqte efektin e tij.
Një grup studiuesish brazilianë dhe britanikë kryen një kërkim për të hetuar dhe në fakt konfirmuan se virusi mund të ishte ndalur sepse nuk gjen më bartës të disponueshëm. Kërkimi, për të cilin shkencëtarë të tjerë nuk kanë dhënë ende një vlerësim, sugjeron që imuniteti i tufës është arritur me të vërtetë. Aktualisht, ata vlerësojnë se midis 44 dhe 66 për qind e banorëve të Manaus janë infektuar dhe për këtë arsye kanë një përgjigje imune që ka ngadalësuar progresin.
Rajoni i Amazonës në përgjithësi ishte një nga më të goditurit dhe për shkak të varfërisë së përhapur shumë njerëz vdiqën pa arritur të shkonin në spital. Komunitetet indigjene gjithashtu janë prekur shumë. Virusi ka qarkulluar lirshëm për shkak të dendësisë së lartë, mungesës së ujit dhe grumbullimit të anijeve që përdoren për transportin lokal.
Shkencëtarët ende po përcaktojnë se cili mund të jetë pragu i imunitetit të tufës për Covid-19. Sipas një studimi të botuar në “Science”, 43 për qind mund të jetë e mjaftueshme, shumë më e ulët se sëmundjet e tjera. Kjo për faktin se transmetimi i Covid-19 vjen për shkak të disa njerëzve shumë aktivë, të ashtuquajturve superpërhapës: 10 dhe 20 për qind e të infektuarve që mund të jenë në gjendje ta ‘mbjellin’ virusin te 80 përqindëshi që mbetet.
Bussines Insider