MENU
klinika

ANALIZA

Lorenc Vangjeli: Paç fatin e Dashnorit, pa MIG sovjetik, por me stjuardesa Perëndimi

23.10.2020 - 19:34

Nga Lorenc Vangjeli

Për një shqiptar të sotëm, nga ata që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, është e pakuptueshme çdo të thotë të jesh i lirë dhe të lëvizësh i lirë në Perëndim apo Lindje. Të kesh një biletë avioni në xhep, të shkosh në aeroportin Nënë Tereza, të të buzëqeshë stjuardesa sikur të ka dashurinë e parë të jetës, të shohësh pa dridhje syri policin e huaj në aeroportin e huaj, të dëgjosh zhurmën e vulës vizë në pasaportën shqiptare dhe pastaj të humbasësh si një individ i zakonshëm, i njëjtë me të tjerët në turmën evropiane apo kudo gjetkë për shkollën, punën apo qejfin e vet, pra, të gjitha këto sot janë normale si ndryshim stinësh në natyrë. Por tre dekada më parë kjo tablo ishte më larg shqiptarit të zakonshëm se martesa e dëshpëruar e pa dashuri mes zjarrit dhe ujit. Ishte ëndrra për horizontin dhe bindja se horizonti nuk ekzitonte. Ishte masturbimi që nuk linte shenjë në mimikën e ngrirë.

Shqiptarët e asaj kohe e përfytyronin avionin vetëm në formën e MIG-ut sovjetik, kurse të përmendje Nënë Terezën në Tiranë, ishte blasfemi. Përpara tre dekadave ishin shumë të paktë ata që kishin mundësi të dilnin jashtë kufinjve dhe të shihnin se për habinë e tyre, në Paris apo në Uashington, “të jashtmit” mbanin aromë të mire, laheshin jo vetëm të shtunave në darkë dhe nuk shëtisnin me automatikë rrugëve. Dhe mbi të gjitha, nuk dinin që Shqipëria shkëmbore, sipas asaj që besonin vetë shumica dërmuese e shqiptarëve, ishte qendra e gjithë botës. Ambasador Dashnor Dervishi ishte nga ata të paktë diplomatë karriere që pati fatin që gjysëm shekulli më parë të kishte edhe një biletë avioni civil në xhep, edhe të shkonte në Rinas, edhe të zbriste në Paris dhe të jetonte si alien lindjeje në Perëndimin e përtej horizontit. Më pas, fati që i shkruanin të tjerët dhe jeta e trazuar që i dha vetes, e çoi në Amerikën Latine, në Brazil, por larg vitheve të karnavaleve, Kolumbi, por jo tek kokaina, në Peru, Ekuador, Republikën Domenikane e Panama dhe më pas në Itali, Izrael e gjetkë. Me qindra personazhe dhe histori në botë që ngjanin shumë pak me çfarë ai kishte lënë në Tiranë u kryqëzuan me jetën e shqiptarit me fat magjik, që u ndodh për vite në ballafaqimin mes një bote të madhe dhe absurdit fatal të vendit nga vinte. Deri në momentin kur Ambasador Dashnor Dervishi vendosi ta shkruajë këtë rrugëtim si kronikan. Duke afruar dhe ndarë me shqiptarin e sotëm eksperiencën unike të ambasadorit të djeshëm.

Ai vendos të bëhet bileta e udhëtimit dhe guida drejt hapësirash që tashmë kanë ndryshuar pafund sepse kryesisht ka ndryshuar shqiptari që i sheh. Sikur edhe si një ditar jete të ishte, tek libri “50 vjet Marrëdhënie me jashtë”, mund të gjendet sharmi i të shkuarës dhe kurthi që rrezikon gjithkënd që di se edhe qelia e rinisë është e bukur kur e kujton nga lartësia e thinjave. Por libri i tij është shumë më shumë se kaq sepse gjuha me ngjyra dhe ngjyrat e rrëfimit e bëjnë atë një vepër artistike dhe një kujtesë për nga vjen liria. E cila shkëlqen shumë më shumë kur e sheh nga kafazi. Shumëkush, që nën flamurin e përzishëm të pandemisë, kërkon shpëtim prej frikës për të ardhmen, ankthit për të sotmen dhe pasigurisë për të shkuarën gjysëm të harruar, mund të gjejë një biletë arratie tek libri që paralajmëron dy libra të tjerë më pas. Dhe kushdo tjetër që do të donte një jetë interesante e me trazim, me shërbesë të ndershme e të mençur për atdheun që nis tek familja dhe për familjen që shenjon cakun e parë të atdheut si Ambasador Dervishi, duhet thjesht ta urojë veten: Paç fatin e Dashnorit!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN