MENU
klinika

Vizita në Shtëpinë e të Moshuarve

Manastirliu: Vaksina e gripit, falas për të moshuarit dhe stafet e qendrave të kujdesit social

01.10.2020 - 11:23

Vaksina e gripit për të moshuarit dhe stafet e qendrave të kujdesit social do të jenë falas. Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite që bëri në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë.

 “Të moshuarit do të përfitojnë vaksinën e gripit, po ashtu edhe për të gjithë kujdestarët dhe stafet në qendrat e përkujdesit social do të kryhet vaksinimi ndaj gripit falas, për t’u mbrojtur nga viruset stinore, duke ditur që mund të ketë dhe një mbivendosje të viruseve për shkak të COVID19”, tha Manastirliu.

Duke shprehur mirënjohje për kujdestaret e shtëpisë së të moshuarve dhe të qendrave të përkujdesit për punën dhe sakrificën e bërë në këto muaj të vështirë të pandemisë, Manastirliu tha se është ndjekur strategjia e duhur për mbrojtjen e të moshuarve në qendrat e kujdesit social.

 “Keni kaluar një kohë të vështirë, ku edhe ju si punonjëse të kujdesit social keni qëndruar të izoluar, por është një sakrificë e madhe që është bërë për shëndetin e të moshuarve në qendrat e kujdesit, në shtëpitë e foshnjave, të personave me aftësi të kufizuar në të gjithë vendin. Ja kemi dalë falë punës tuaj dhe strategjisë së ndjekur për të mbrojtur shëndetin e të moshuarve”, – tha Manastirliu.