Nga Elisabeth Braw
Janarin e kaluar, Covid-19 goditi Italinë, ndalesa e parë evropiane në udhëtimin e vet vdekjeprurës nëpër botë. “Sistemi shëndetësor italian po shembet nën peshën e koronavirusit,” shkruante Nju Jork Tajms në mars, ndërsa gazeta gjermane Bild përshkroi procesionet makabre të kamionëve ushtarakë, që transportonin të vdekurit nga Covid-19 për në varreza. Tronditja nga fati tragjik i Italisë nxorri në pah një ndjenjë epërsie: italianët e çorganizuar po e menaxhonin keq krizën, por pjesa tjetër e botës do të dinte se çfarë të bënte.
Gjashtë muaj më vonë, italianët jo vetëm që arritën të ulnin shkallën e infeksionit në nivelin e vendeve evropiane si Gjermania dhe Finlanda, por ata gjithashtu kanë norma më të ulëta të vdekjeve, sesa gjermanët dhe finlandezët.
Gjithashtu kohët e fundit Skytrax, kompania britanike e kërkimit që merret me aviacionin civil, i dha pesë yje aeroportit të Romës Fiumicino për pastërtinë dhe protokollet e miratuara. Edhe programi eksperimental që planifikon të kryejë teste diagnostikuese për covid-19 për pasagjerët që nisen nga Fiumicino, duke i bërë rezultatet të disponueshme para se të hipni në avion, nëse funksionon, sigurisht që do të imitohet nga të tjerë. Aeroportet e tjera italiane, portet dhe stacionet hekurudhore ofrojnë teste për covid-19 për pasagjerët që vijnë nga jashtë. Siç theksoi një deputet britanik, duke u ankuar tek kryeministri Boris Johnson: në aeroportet italiane, udhëtarët mund të bëjnë tamponin, ndërsa “në Mbretërinë e Bashkuar mbretëron kaosi total”, tha ai.
Qëndrim përçmues
Italianët po menaxhojnë mirë jo vetëm aeroportet dhe stacionet hekurudhore. Më 20 dhe 21 shtator në Itali u mbajt një referendum, në siguri të plotë, dhe në disa qytete votuan dy të tretat e votuesve.
Reagimi i Italisë gjatë pandemisë duhet ta shtyjë botën të rishikojë qëndrimin e saj dyshues ndaj këtij vendi, shpesh i konsideruar kaotik dhe tepër i burokratizuar. Eshtë e vërtetë që shumë nga ato kritika nuk janë të pabazuara. Siç theksonte studiuesi italian Roberto Orsi në një artikull të vitit 2013, keqmenaxhimi politik e ka lënë vendin me një borxh që tejkalon tej mase PBB-në e tij. Dhe në një artikull të vitit 2010, një grup gjeologësh amerikanë llogaritën që, pjesërisht për shkak të ndërtimeve të dobëta, i njëjti tërmet do të vriste tre mijë njerëz në Iran, 150 në Itali dhe tre në Kaliforni. Por gjatë krizës shëndetësore Italia reagoi me shpejtësi të habitshme: pjesa tjetër e botës duhet të mësojë nga reagimi i saj ndaj epidemisë.
Kërkesa për ndihmë
Koronavirusi i ri mendohet të ketë mbërritur në Itali në fund të janarit, i sjellë nga Kina, nga një udhëtar i infektuar. Më 31 janar në Itali ishin dy raste të konfirmuara me COVID-19. Një muaj më vonë ishin 3,000 raste të konfirmuara dhe qeveria mbylli shkollat dhe universitetet. Pas disa ditësh, Kryeministri Giuseppe Conte njoftoi një bllokim në pjesën më të madhe të Italisë veriore. Por nuk mjaftoi. “Kur u njoftua mbyllja e disa rajoneve veriore, mijëra njerëz u nisën për në jug”, thotë Mark Loue, një biznesmen britanik i cili jeton në Itali prej më shumë se njëzet vjetësh. “Do të duhej një izolim i njëkohshëm në të gjithë vendin.”
Më 22 Mars në Itali kishte pothuajse 60,000 raste me COVID-19. Në atë moment qeveria urdhëroi mbylljen e fabrikave. Mund të qëndroje vetëm në spitale, shtëpi, të shkoje në supermarket dhe farmaci. Më 26 Mars në Itali vdekjet nga Covid-19 ishin 712. Të nesërmen ishin 919.
“Ne gjithmonë kemi dashur të jemi pak si ju. Kaq të relaksuar, kaq të bukur, kaq të pasionuar. Ne kemi dashur të gatuajmë makarona si ju, të pimë Campari Soda si ju, të bëjmë dashuri si ju”, shkruante Bild. The Sun dhe shumë media të tjera ndërkombëtare rrëfyen një histori të dashuruarish gjatë karantinës, e ngjashme me atë të Romeos dhe Zhulietës (kishte të bënte me ballkonet). Të dy jetojnë në Verona, qyteti i të dashuruarve të Shekspirit.
Ndërkohë, shtetet e Bashkimit Evropian nuk iu përgjigjën kërkesave urgjente të Italisë për pajisje mjekësore. Nga ana tjetër, Rusia dhe Kina, dërguan menjëherë kontributet e tyre me bujë të madhe, që megjithatë, ishte një ndihmë e dyshimtë: nga Kina mbërrinin pajisje mbrojtëse personale ndonjëherë të papërdorshme dhe ushtria ruse u vendos pranë bazave të NATO-s. Qëllimi ishte një tjetër. Në një sondazh në fillim të prillit nga agjencia italiane SWG, 52 përqind e popullsisë e konsideronin Kinën një vend mik, krahasuar me 10 përqind në vitin 2019. Ndërkohë, Rusia ishte një vend mik për 32 përqind të të anketuarve, me një rritje me 17 pikë krahasuar me vitin 2019. Dhe 45 përqind e konsideronin Gjermaninë një vend armiqësor.
Italia dukej se po zhytej në një spirale shkatërruese, megjithë romancën rastësore në ballkone. Por gjashtë muaj më vonë, ajo kishte vetëm 34 infeksione nga Covid-19 për njëqind mijë banorë në 14 ditët e fundit, një shifër shumë më e ulët se ajo e Spanjës (311) dhe Francës (193) në të njëjtën periudhë. Një shifër shumë më afër 26 infeksioneve të regjistruara në Gjermani. Dhe nuk mbaron këtu. Ndryshe nga pothuajse të gjitha vendet e tjera, Italia, në dukje kaq kaotike, ka arritur të japë një shpërblim për viktimat e epidemisë.
Në qershor Bergamo, një nga qytetet më të prekura nga koronavirusi, zhvilloi një shfaqje spektakolare të Requiem, nga Gaetano Donizetti, gjithashtu i lindur në Bergamo. Dhe Milano ndoqi shembullin e tij me një performancë të Requiem të Giuseppe Verdit para Duomos. Në të dy koncertet mori pjesë Presidenti i Republikës Sergio Mattarella. Vende të tjera përkujtuan gjithashtu viktimat dhe punonjësit e tyre të shëndetësisë, infermierët dhe mjekët që vdiqën në punë, veçanërisht me statuja, të tilla si në Riga, Letoni ose shërbime fetare në internet, të tilla si në Mançester, Angli. Sidoqoftë, aktivitetet e mrekullueshme muzikore italiane ishin diçka më vete. Padyshim kishte boll për të qarë: 35,875 italianë (të dhënat e përditësuara në 29 shtator) humbën jetën për shkak të covid-19. Por fakti që Italia ka arritur të luftojë epideminë deri në mbajtjen e saj nën kontroll, në mënyrë më efektive sesa shumë kombe të tjera që konsiderohen më të organizuara, nuk duhet nënvlerësuar. Me shkallën e ulët të infeksioneve, Italia gjithashtu duket e destinuar të mbajë nën kontroll një valë të dytë.
Si arritën italianët të frenojnë vdekjet e shkaktuara nga virusi në pak muaj? Sipas Loue, si qeveria ashtu edhe popullata iu përshtatën situatës së re, me shpejtësi të habitshme: “Ishte një emergjencë dhe meqenëse Italia ishte vendi i parë evropian që u godit, nuk kishte asnjë model nga i cili të frymëzohej. Qeveria vendosi masa drastike, por e bëri atë në mënyrën e duhur”.
Disa nga këto masa erdhën shumë vonë dhe nuk ishin mjaft rigoroze në fillim. “Për më tepër, duke pasur një shërbim shëndetësor të decentralizuar, shumë autoritete rajonale dhe shumë virologë morën vendime të ndryshme. Por nuk duhet të harrojmë se ky ishte një territor i panjohur dhe qeveria veproi me guxim”, thotë Loue. Për shembull, duke kërkuar përdorimin e maskave në të gjitha hapësirat, ku distancimi shoqëror nuk ishte i mundur. Kushdo që nuk i respektonte rregullat gjobitej.
Nisma informale
Qeveria italiane ka më shumë pushtet sesa, për shembull, qeveria federale e Shteteve të Bashkuara. Por mbase edhe më e rëndësishme se guximi i çdo qeverie ka qenë përshtatshmëria e qytetarëve. Eshtë e vërtetë që qeveria italiane është pak e çorganizuar, më shpjegoi gjenerali në pension Vincenzo Camporini, ish shefi i shtabit të mbrojtjes, “por kjo na ka lejuar të zhvillojmë një rrjet iniciativash informale që kanë dhënë përfundimisht më shumë rezultat, se ato të ndërmarra nga vendet e organizuara më mirë”.
Disa qytetarë, për shembull, bënin pazar për fqinjët e moshuar. Me iniciativën e tyre, disa stacione karabinierësh kanë bërë të njëjtën gjë, dhe shumë oficerë kanë dërguar pensionin në shtëpi për të moshuarit, të cilët zakonisht e merrnin atë në zyrat postare.
Kultura italiane e organizimit fleksibël mund të rezultojë të jetë një avantazh jo vetëm gjatë kësaj pandemie, por edhe në krizat e ardhshme. “Meqenëse në kulturën tonë rregullat konsiderohen më shumë si këshilla sesa detyrime, pasi njerëzit të kenë kuptuar seriozitetin e problemit, respektimi i tyre bëhet i natyrshëm”, më shpjegoi Camporini. Giampaolo Roidi, kryeredaktor i agjencisë italiane të lajmeve Agi, pajtohet, duke deklaruar se “nga pikëpamja e shëndetit, italianët kanë treguar se ata e kuptuan menjëherë peshën e situatës”. Kur njerëzit ndiejnë se janë duke respektuar rregullat me vullnetin e tyre, ata janë më pak të tunduar të mos binden për shkak të mosbesimit ndaj autoriteteve.
Në një farë mënyre, kjo ide bashkon Italinë dhe Suedinë në reagimin e tyre ndaj pandemisë. Suedia, si Italia, u mbështet në rekomandime dhe jo në imponime. Në vend që të bllokojnë gjithçka, autoritetet u kanë kërkuar njerëzve që të sillen me përgjegjshmëri. Strategjia duket se ka funksionuar: Suedia përjetoi një rritje të hershme të vdekjeve, por shkalla e infektimit tani po bie.
Përqafo kaosin
Craig Fugate, i cili administroi agjencinë federale të menaxhimit të emergjencave gjatë presidencës së Obamës, më tha diçka të ngjashme. “Ne përqafojmë kaosin,” tha ai në një konferencë të fundit dhe shpjegoi se gjatë krizave, qeveritë duhet t’i trajtojnë qytetarët si një pasuri dhe jo si një barrë. Do të ketë kriza të tjera, të shkaktuara nga natyra ose nga shtetet armiqësore. Dhe pak si adoleshentët, qytetarët kanë më shumë të ngjarë të luajnë një rol pozitiv nëse ndihen të fuqizuar, sesa të detyruar.
Përballë një problemi të madh, italianët kanë gjetur forcën për të kapërcyer edhe veten e tyre. Pyetja mbetet nëse ata do të reagojnë në një mënyrë të ngjashme për të kthyer ekonominë e vendit në binarë, një luftë herkuliane kjo, edhe me paketën e ndihmës prej 540 miliardë eurosh të dhënë nga BE.
Sigurisht, “le të përqafojmë kaosin” nuk është saktësisht parulla që qeveria italiane do të zgjidhte për strategjinë e saj të rimëkëmbjes. Por përqafimi i kaosit i ka bërë italianët më të adaptueshëm. Le ta quajmë atë menaxhim të krizës nga poshtë-lart. Padyshim, përgjigja ndaj krizave nuk mund të jetë e gjitha këtu, por rezultatet e Italisë tregojnë se përgjigja përbëhet edhe nga kjo./Foreign Policy – Bota.al