Kur presidenti amerikan Donald Trump u dërgua me urgjencë në spital me COVID-19, një ministër i Shëndetësisë në Australi nuk e gjeti me vend t’i shprehte atij mesazhe pozitive për shërim të shpejtë, siç kishte bërë edhe Joe Biden.
Jo, ai vendosi ta sulmonte atë duke shkruar: “A e keni konsideruar të përdorni dezinfektuesin intravenoz?”.
Këtë mesazh e publikoi ministri i Shëndetësisë në shtetin australian të Queensland, Steven Miles.
Kujtojmë se presidenti Donald Trump në fillim të këtij viti u tall shumë në rrjet pas një deklarate, ku dukej se po sugjeronte që injektimi i dezinfektuesit mund të kishte një ndikim pozitiv në luftën kundër koronavirusit.
Por presidenti që atëherë ka insistuar që fjalët ishin sarkastike. Megjithatë talljet ndaj tij mbi këtë temë nuk kanë pushuar, e mesa duket as në këtë kohë të vështirë.
Trump u shtrua në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed të premten në mbrëmje, ku po trajtohet për COVID-19.
Ai do të qëndrojë për disa ditë atje.
Ministri australian u kritikua në rrjet, me komentuesit që e konsideronin postimin e tij ‘të turpshëm’. Por pavarësisht kritikave, Miles nuk pranon të kërkojë falje.
“Unë mendoj se kjo më dha një shans të theksoj se disa nga trajtimet që ai (Trump) sugjeroi nuk funksionojnë, e ai nuk do t’i përdorë ato as vetë”- tha ministri liberal, citon Daily Mail.
Miles vazhdon: “Ai si një udhëheqës botëror ka bërë vazhdimisht komente qesharake në lidhje me këtë sëmundje. Unë nuk do të kërkoj falje. Shpresoj që ai t’u kërkojë falje të gjithëve që e besuan”.