Shoh që pak vetë e kanë kuptuar propozimin e maxhorancës (PS) për hapjen e listave, shumë vetëve u duket se nuk ka fare hapje. Ndërkohë që hapja totale, e propozuar nga opozita (PD), duket si një ekstrem populist.
Po shpjegoj thjeshtë ku konsiston propozimi i maxhorancës, sepse ai i opozitës, kuptohet lehtë.
Që një kandidat për deputet të mund të kalojë nga fundi i listës së paraqitur nga subjekti, Partia, në fillim të listës, pra në pjesën fituese, duhet të ketë marrë vota më shumë sesa u bien votat mesatare mandateve të fituara në atë zonë zgjedhore, pra të deputetëve fitues të subjektit.
Në nenin 163 të projektligjit, vota mesatare është quajtur “herësi që del nga pjesëtimi i votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara”.
Por po te neni 163, shkruhet se mjaftojnë edhe 10 000 vota për mandat, dhe kandidati i rreshtuar nga Partia nga fundi i listës, të rreshtohet në fillimin fitues të listës, pra edhe për rastet kur vota mesatare, herësi, do të dilet mbi 10 000 vota për mandat.
Ka një logjikë në këtë propozim, sepse vërtetë, një kandidat që ka marrë pak vota, pra më pak se mesatarja e deputetëve të caktuar në rreshtimin e Partisë, nuk ia vlen të prishë rreshtimin e partisë.
Opozita, në propozimin e saj, ka qenë më e lirë, më pro kalimit të gjithë së drejtës votuesit.
Mbase e drejta mund të jetë diku në mes.
Po a është zgjedhur mirë vlera 10 000 vota për mandat?! Ja ta mendojmë një çikë.
Po pjesëtojmë votat e marra në zgjedhjet e vitit 2017, që janë rreth 1, 6 milionë, me 140 deputetët e Kuvendit, del se i bie mesatarisht rreth 11 400 vota/mandat deputeti, pra e përafërt me 10 000 v/m.
Por, ky mesatarizimi në rang vendi, 10 000, është shumë i ngurtë, nuk merr parasysh pjesëmarrjen në votim.
Po ta shprehnim jo me një shifër absolute, por me një vlerë relative, do të ishte më e arsyeshme.
P.sh. të thuhet se mjaftojnë edhe 25% të mesatares në shkallë vendi të votave për mandat, në zgjedhjet konkrete.
Kështu, për një pjesëmarrje si në zgjedhjet e vitit 2017, që kishte mesataren 11 400 v/m, do të dilte 2850 vota/mandat. Natyrisht, kjo madhësi do të varet nga pjesëmarrja në zgjedhjet konkrete.
Një formulim i tillë i ligjit, relative, do të ishte një hapje listash me karar, pra një kompromis më i mirë në mes votës preferenciale, votës që japin votuesit, dhe rreshtimit të Partisë.
Do të korrigjonin Partia votuesin, dhe votuesi Partinë.
Ia vlen që deputetët të mendojnë deri të hënën, dt. 05.10.2020, kur do të votojnë ligjin.