MENU
klinika

Diskutimet e buxhetit, Denaj jep detajet

Nuk ka shtyrje të fiskalizimit, rritja e pagave nis në janar

29.10.2020 - 12:53

Qeveria tregohet e vendosur procesin e fiskalizimit në vitin e ardhshëm. Procesi i fiskalizimit ishte programuar të niste nga zbatimi në fillim të këtij viti, por fatkeqësitë e njëpasnjëshme që goditën vendin tonë e detyruan qeverinë të shtyjë këtë proces për në 2021. Sakaq, qeveria e ka përfshirë këtë proces edhe në projektbuxhetin e vitit 2021 duke e renditur si një nga hallkat e rëndësishme që do kontribuojë në rikuperimin ekonomik. Por ky plan nuk është parë me kaq besueshmëri nga të gjitha palët, pasi për disa prej tyre vendimet e marra nga qeveria janë të pamundura për t’u realizuar duke qenë se vendi vazhdon është nën ndikimin e pandemisë dhe nuk ka asgjë të sigurt rreth pritshmërive për përfundimin e saj.

Kështu në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë ka reaguar pikërisht për çështjen e fiskalizimit deputetja Edlira Hysenaj. Sipas saj është e nevojshme që qeveria të hartojë një plan rezervë në rast se situata pandemike përkeqësohet dhe vendi do shkonte drejt një mbyllje të dytë. Në këtë sugjerim ajo u ndal edhe te procesi i fiskalizimit, duke i kërkuar ministres së Financave, Anila Denaj, një shtyrje të dytë të afateve për zbatimin e tij. Më tej ajo pyeti se si programon qeveria të mbledhi më shumë të ardhura në 2021 kur ka miratuar vendimin për lehtësitë fiskale për të gjitha bizneset në vend. Sipas Hysenajt, këto dy vendime duhen rishikuar, por për ministren Denaj kjo është e padiskutueshme.

Gjatë fjalë së saj ajo u shpreh e prerë se fiskalizimi do të nisë vitin që vjen sipas afateve të përcaktuara. Sipas saj, fiskalizimi nuk do të pengojë bizneset të progresojnë, përkundrazi do të rregullojë tregun dhe në këtë mënyrë do të rriten të ardhurat që ka programuar qeveria. Sakaq Denaj theksoi se eliminimi i evazionit fiskal është mirëdiskutuar dhe me FMN. “Nuk do të ketë shtyrje të dytë të fiskalizimit dhe nuk ka përse të shtyhet. Pasi është edhe një nga direktivat që kemi marrë nga FMN, miradministrimi i sistemit fiskal do të jetë një nga faktorët kryesorë që do ndikoj në rritjen ekonomike dhe një përmirësim në 3% të të ardhurave në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Nuk ka një arsye pse bizneset mos të kontrollohen, kontrolli nuk prish punë, përkundrazi rregullon tregun, konkurrencën si dhe përmirëson detyrimet ndaj qeverisë. Edhe lehtësitë fiskale nuk do të krijojnë boshllëqe nëse detyrimet e tjera në kudër të fiskalizmit vijojnë rregullisht”, u shpreh ajo.

Indeksim i pagave për mësuesit dhe mjekët

Rritja e pagës për mjekët me 40% dhe mësuesit me 15% të nisë zbatimin në 1 janar të vitit që vjen. Ky është një vendin i prezantuar nga vetë kryeministri i vendit dhe i cili u miratua pak kohë më pas për të qenë gati vitin që vjen. Ashtu siç u deklarua, rritja e pagës është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2021. Edhe ky vendim u quajt si elektoral dhe i pamundur në kohë pandemie nga opozita dhe shumë skeptikë të tjerë. Këtë gjë e ka shprehur edhe deputetja Hysenaj, e cila e sheh pak të vështirë realizimin e këtij vendimi për sa kohë vendi ende është në krizë ekonomike, duke marrë parasysh efektet financiare të tij në buxhet.

“A mendoni që nuk jemi gati për të gjitha këto ndryshime dhe rritje shpenzimesh. Marrin rastin e rritjes së pagave për mjekët dhe mësuesit, kur do të nisë konkretisht zbatimi i këtij vendimi dhe sa do të jetë efekti në buxhet i tij”, u shpreh deputetja. Edhe kësaj pyetje Denaj iu përgjigj shkurtimisht duke thënë se, rritja e pagave do të nisë saktësisht në muajin janar të 2021 dhe efekti i vetëm do të jetë në kontribute me gati 3 miliardë lekë. “Rritja e pagave nuk do ketë efekt të drejtpërdrejtë në të ardhurat, por ndikim i vetëm që është parashikuar kap vlerat e 3 miliardë lekëve në kontribute. Ne kemi diskutuar edhe me KKP për këtë vendim dhe nuk ka pasur asnjë kundërshtim menjëherë është dhënë aprovimi. Zbatimi do filloj sigurisht nga janari i vitit 2021 sipas pikësimit që është përcaktuar”, theksoi ministrja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN