Ka përfunduar procesi i votimit për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Qarkun e Shkodrës.
Në këtë qark, i cili është më i rëndësishmi në rajonin verior, nuk ka pasur surpriza nga vota e anëtarësisë. Të gjithë kandidatët në degën e Shkodrës janë konfirmuar nga anëtarësia e partisë, duke kaluar kështu në fazën tjetër të procesit përzgjedhës. Vetëm dy kandidatë për deputetë janë larguar nga anëtarësia në degët e Vaut të Dejës dhe Pukës. Përkatësisht janë ish-kryetari i Partisë Demokratike në rrethin e Pukës, Prel Gjoni, si dhe kreu i FRPD në Vaun e Dejës, Marin Tukaj. Të dhënat e para tregojnë se nga 3100 anëtarë të Partisë Demokratike në Qarkun e Shkodrës morën pjesë 2178, ose 70% e anëtarësisë. Në mesin e kandidatëve për deputetë, e kaluan këtë fazë të gjithë ata që ishin deputetë në legjislaturën që po mbyllet dhe që dogjën mandatet në shkurtin e 2019-ës.
PROCESI
Skema që po praktikon selia blu për të zgjedhur “kalorësit” e saj të betejës, për të siguruar maxhorancën në zgjedhjet e ardhshme, ka hyrë në fazën e tretë të saj. Në fazën e parë demokratët propozuan rreth 3600 emra. Ndërkohë, komisioni i posaçëm i ngritur në selinë blu kaloi për në fazën e dytë 1000 emra. Në fazën e dytë të procesit, kandidatët i janë nënshtruar “vetingut” nga 5 anëtarët: Besnik Mustafaj, Bujar Nishani, Genc Ruli, Mark Marku dhe Enriketa Papa. Përreth një muaj, komisioni ka bërë verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve, ku nga 1000 emra që kaluan në fazën e dytë, në fazën e tretë kanë kaluar vetëm 400 emra.
Pas përfundimit të procesit të konsultimit me anëtarësinë, kandidatët e konfirmuar i nënshtrohen vlerësimit përfundimtar të Komisionit në fazën e tretë. Anëtarët e komisionit votojnë bazuar, kryesisht, në vlerësimin e performancës politike të kandidatit dhe mundësinë e maksimalizmit të votës. Pas këtij vlerësimi përfundimtar, lista me kandidatët që kalojnë fazën e tretë i dorëzohet për vendimmarrje finale kryesisë së Partisë Demokratike. Votimi i konsultimit të anëtarësisë ka përfunduar në qarkun e Kukësit, Dibrës, Gjirokastrës dhe Beratit. Procesi po ndiqet nga afër nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, Sekretari Organizativ, Sahit Dollapi, dhe Sekretari i Burimeve Njerëzore, Ervin Minarolli.
Ndërkohë vlen të theksohet se komisioni i vlerësimit në PD, përveç kandidatëve të rinj, ka vendosur që të masëse sa të dashur janë nga anëtarësia edhe anëtarët e kryesisë së selisë blu. Kështu, për votim, njësoj si kandidatët e rinj, do të shkojë edhe kryesia. Shumica e tyre do të votohen nga anëtarësia e PD-së në kryeqytet, të shpërndarë sipas degëve. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se në listën finale do të jenë në kryeqytet. Nga procesi i votimit përjashtohet kryetari i PD-së, sekretari i përgjithshëm dhe dy nënkryetarët.