MENU
klinika

Raporti i Bankës Botërore: Janë shtuar të varfërit

“Pandemia zhyti Ballkanin në recesion të thellë”

22.10.2020 - 14:06

Rajoni i Ballkanit Perëndimor është zhytur në një recesion të thellë nga pandemia e COVID-19, të shoqëruar me rënie të kërkesës së brendshme dhe të jashtme dhe ndërprerje në zinxhirët e furnizimit, duke i shtyrë të gjashtë vendet e rajonit drejt një territori me norma negative të rritjes ekonomike për vitin 2020.

Sipas Raportit të Rregullt Ekonomik (RER) të publikuar së fundmi nga Banka Botërore, rritja ekonomike e rajonit parashikohet të jetë -4.8 përqind në vitin 2020, 1.7 pikë përqindje më e ulët se parashikimi i bërë në muajin Prill. Vala e dytë dhe më e fortë e pandemisë që nga mesi I qershorit ka penguar më tej rimëkëmbjen ekonomike të rajonit. Kufizimet e udhëtimit dhe masat e distancimit social kanë dobësuar gjithashtu rritjen ekonomike të vendeve me varësi më të lartë nga turizmi.

Pandemia po rrezikon më tej tregjet e punës në rajon dhe po kërcënon të përmbysë progresin e bërë nga këto vende në drejtim të rritjes së mirëqenies sociale, veçanërisht në uljen e varfërisë. Deri në qershor, papunësia në rajon u rrit me rreth gjysëm pikë përqindjeje, duke eleminuar 139,000 vende pune. Numri I personave që kanë rënë në varfëri në Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri vlerësohet të jetë shtuar me 300,000 – shifër kjo e konsiderueshme, por raporti gjithashtu evidenton se vetëm më pak se gjysma e tyre nuk kanë përfituar nga masat mbështetëse për përballimin e krizës.

“Ashtu si në vendet e tjera të botës, pandemia e COVID-19 po vazhdon të godasë rëndë njerëzit në Ballkanin Perëndimor, duke vënë në rrezik shëndetin dhe mirëqenien ekonomike të popullsisë në të gjashtë vendet e rajonit,” thotë Linda Van Gelder, Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Sado e keqe të jetë kjo situatë, do të kishte qenë shumë më keq nëse qeveritë nuk do të kishin ndërhyrë me shpejtësi që prej fillimit të krizës. Prioritet kryesor mbetet menaxhimi i krizës shëndetësore dhe kufizimi i dëmit ekonomik. Politikëbërësit në vendet e rajonit do të duhet më pas të përqendrohen në forcimin e treguesve bazë makroekonimkë të vendeve të tyre për të siguruar një rimëkëmbje të qëndrueshme.”

Sipas raportit, të gjashtë vendet e rajonit reaguan me shpejtësi duke ndërmarrë masa për mbrojtjen e jetës dhe mjeteve të jetesës së qytetarëve. Prezantimi i skemave të mëdha për ruajtjen e vendeve të punës, përfshirë subvencionet e pagave të punonjësve, ndikoi në frenimin e një pjese të pasojave më të rënda të pandemisë në punësim, ndërsa programet e ndihmës sociale, si transfertat e parave, ndihmuan në mbrojtjen e shtresave më të cënueshme të popullsisë në rajon nga masat e izolimit dhe kufizimet e tjera.

Megjithatë, pavarësisht këtyre masave, arritjet e viteve të fundit të vendeve të rajonit në drejtim të pjesëmarrjes në forcat e punës tashmë janë përmbysur dhe progresi në uljen e varfërisë ndodhet në rrezik për shkak të krizës. Këtyre sfidave i shtohet dhe problemi i rritjes së lartë të deficiteve fiskale në rajon, pasi qeveritë po vijojnë të rrisin shpenzimet për të përballuar kontraktimin ekonomik pavarësisht të ardhurave në rënie.

Duke qenë se kohëzgjatja e krizës ekonomike është e paqartë, presioni mbi tregjet e punës dhe të ardhurat ka të ngjarë të vijojë për disa muaj.

“Përveç përmirësimeve në sistemet shëndetësore dhe mekanizmat e mbrojtjes sociale, hartuesit e politikave në rajon duhet të marrin masa për të rritur kapitalin njerëzor, për të forcuar institucionet dhe për të përmirësuar sistemin e sundimit të ligjit. Kjo situatë e pavaforshme, e cila kërkon rritjen e shpenzimeve në një kohë kur të ardhurat po bien, shton presionin mbi qeveritë e rajonit për t’i dhënë përparësi qëndrueshmërisë fiskale, përfshirë përmirësimin e shpenzimeve publike dhe forcimin e pajtueshmërisë tatimore,” shprehet Linda Van Gelder.

Raporti vlerëson se shpejtësia e rimëkëmbjes, në periudhë afatshkurtër, do të varet nga ecuria e pandemisë, disponueshmëria e një vaksine që do të bëjë të mundur kthimin në normalitet të aktivitetit ekonomik dhe rimëkëmbja e qëndrueshme e partnerit kryesor tregtar të rajonit – Bashkimit Europian (BE).

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Financimi për vaksinat kundër koronavirusit

Banka Botërore miraton fondin 12 miliardë dollarë


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!