MENU
klinika

“Nuk e kalon pragun”

Parashikimet për Vjosa Osmanin nëse krijon parti të re

08.10.2020 - 14:58

Partia e re politike që është paralajmëruar nga Vjosa Osmani nuk do të mund të arrijë rezultat të kënaqshëm në zgjedhje, vlerësojnë analistët. Shkëlzen Maliqi dhe Faton Abdullahu thonë për Gazetën Express se kryeparlamentarja nëse garon pa bërë koalicion me ndonjë parti, mund të mos e kalojë fare pragun apo të arrijë vetëm 5,5%.

Në njëvjetorin e zgjedhjeve të gjashtë tetorit, Vjosa Osmani ka paralajmëruar rikthim të fuqishëm të saj, duke thënë se së bashku me të do të kthehet edhe vullneti i qytetarëve për të shkapur vendin nga strukturat që e po e mbajnë të uzurpuar.

Rikthimi siç e ka planifikuar nuk po shihet njëjtë edhe nga njohësit e zhvillimeve politike. Sipas vlerësimit të tyre, Vjosa Osmani do të marrë shumë pak vota në rast se garon e vetme. Analistët thonë se në rast se Osmani nuk bashkohet me Vetëvendosjen, atëherë ka gjasë të mos e kalojë pragun, apo të marrë vetëm pak më shumë se 5%. Njëjtë e ka radhitur Iniciativën e parë edhe një anketë e kryer ditëve të fundit.

Në të gjitha variantet, votat që mund t’i marrë Osmani pritet që të kalojnë nga LDK’ja në subjektin e saj. Sipas njohësit të çështjeve politike, Shkëlzen Maliqit, kryeparlamentarja edhe nëse bashkëpunon me Albin Kurtin e Vetëvendosjen nuk ka gjasë t’i sigurojë 50 për qind, ashtu siç po pretendohet.

“E pash një anketë pragun ndoshta e kalon 5.5, por nuk di, duhet të pritet të vlerësohet, a ka edhe dikë tjetër a diçka po aty afër pragut mund të jetë me vota, jo ku me ditë se çka. Unë nuk mundem me vlerësu personalisht. Në dy variantet ajo mund të rrit deri diku votën e LVV’së ia sjell do vota prej LDK’së që nuk kanë qenë për po nuk është se e rritë tepër shumë, ato po pretendojnë për 50 përqind unë nuk besoj, këto janë vetëm spekulative sepse nuk kam bërë hulumtime kohëve të fundit”, thotë Maliqi për Gazetën Express.

Megjithatë, sipas tij, është një aspekt ku çalojnë Vjosa Osmani dhe Vetëvendosje, e kjo mund t’i dëmtojë në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të njëjtat do të mbahen.

“ Zgjedhjet e ardhshme kur do që të mbahen janë shumë të rëndësishme, raportet me Amerikën dhe ndërkombëtarët, aty mendoj se LVV dhe Vjosa munden me i hup do vota jo me fitu si Qeveria e shpresës, në aspektin e brendshëm munden me fitu votat e atyre që e kanë më me rëndësi këtë diskursin populist, ata prap e votojnë, por jo edhe ata që brengosën për çështje pak më madhore që ne duhet t’i zgjedhim me ndërkombëtarët e jo duke i injoru ata, sidomos Amerikanët”, vlerëson Maliqi në një përgjigje për Gazetën.

Me shkarkimin nga dy pozitat në LDK, Vjosa Osmani e ka humbur edhe “rugovizmin” e përceptimin mbi të, thotë analisti Faton Abdullahu.

Në një përgjigje për Gazetën Express, ai thotë se Osmani e ka të vështirë që të krijojë përsëri atë përceptim.

“Konsideroj që Vjosa Osmani me faktin që është larguar, apo e kanë larguar, thënë më saktë, e ka humbë imazhin me të cilin e ka ndërtu, krejt atë tipizim politik të vetin, ku imazh i ka humb me përjashtimin që ia kanë bërë. Me faktin që e kanë larguar ajo nuk e ka marrë rugovizmin me veti, ato janë mbet në LDK. E ka të vështirë ta krijojë kudo qoftë këtë përceptim, se është e tillë sidomos te ata që ajo shpreson se kanë me votu prap”, thotë analisti Abdullahu.

I njëjti shton se sipas vlerësimit të tij, Osmani me iniciativën e re nëse garojnë në zgjedhje të vetme nuk do të mund të kalojë as pragun zgjedhor.

“Kur e kanë votu ata që e kanë votu Vjosa Osmanin derisa kanë qenë në LDK e kanë votuar si shpresë me ndryshu brenda LDK’së, e mandej edhe reformat tjera shtetërore institucionale, ky element i mungon, me votu Vjosën tash nuk votojnë për LDK’në, këto i mungojnë në të ardhmen e afërt. Tjetra është se ajo duhet me pas shumë njerëz figura që kanë qenë në LDK, shumë figura të LDK’së e shprehin revoltën e saj e përpunojnë e shpalosin si ofertë, prap unë konsideroj që as pragun s’munden me kalu. Sepse ata që e kanë votuar e shohin një mini Vetëvendosje e cila përkundër të gjitha kalkulimeve ka me shku me LVV’në, gjasat i ka të vogla me kalu pragun. Nëse e kalon dëmin e merr prej LDK’së sepse votat i merr prej atyre askund tjetër, sepse të Vetëvendosjes në asnjë variant nuk votojën për Vjosën”, thotë ai, duke shtuar se mendon se askush nuk do t’i bashkohet nga fytyrat kryesore Osmanit në parti.

“Unë mendoj që është shumë real këtë që mediat e thanë se këta do të shkojnë me Vjosën, unë mendoj që nuk shkon askush me të, për arsyet të cilat i dhash. Në zgjedhjet e ardhshme, Vjosa Osmani nuk ka kauzë politike që e ngjalli kur ishte pjesë e LDK’së por në një far forme me një këmbë ishte në Vetëvendosje”, tha Abdullahu për Gazetën.

Gazeta Express ka raportuar sot se shkarkimi nga pozitat që mbante dhe acarimi me LDK-në, ka bërë që kryeparlamentarja Vjosa Osmani të mbetet e vetme në një rrugë pa bashkëpartiakët, me disa prej të cilëve në vazhdimësi kishte folur për marrëdhëniet e shkëlqyera.

Deri më tani veç deputeti Haxhi Avdyli e ka pranuar publikisht se do të jetë në krah të Osmanit nëse kjo e fundit vazhdon një rrugëtim të ri politik jashtë LDK-së.

Ani pse në publik kanë dalë disa emra të cilët po përfliten si të mundshëm për t’iu bashkuar kryeparlamentares, të gjithë nga ta e kanë mohuar mundësinë e bashkëpunimit jashtë LDK-së.

Në anën tjetër Osmani dhe kreu i LVV’së, Albin Kurti e kanë përsëritur vazhdimisht se bashkëpunimin do ta vazhdojnë edhe rrëzimit të tij nga pushteti./GazetaExpress/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN