Çdo person që bëhet i paaftë merr pension invaliditeti, kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit dhe për çdo arësye, veç aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale. Ai e merr këtë pension kur bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike, si dhe kur ka gjymtime të forta dhe dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin).Në çdo rast invaliditeti caktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Në vendimin e tij shënohen shkaqet e invaliditetit, koha e fillimit të tij, si dhe shkalla e humbjes së aftësisë në punë.
Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. Shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Ekspertët e sigurimeve sqarojnë se shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi.
Ndërsa personat që përmbushin periudhën minimale të sigurimit, dhe kur për çdo arësye, përveç aksidentit në punë dhe sëmundjes profesionale, bëhen të paaftë të kryejë punën e fundit, mund të punojë në kushte të veçanta pune mund të përfitojnë. Shkalla e invaliditetit dhe puna që do të kryejë i siguruari, përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Ky lloj pensioni është sa 50 përqind e pensionit të plotë të invaliditetit dhe llogaritet po në të njëjtën formë.
Sipas kushteve të përcaktuara në skemën e sigurimeve, personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti. Masa e pensionit të invaliditetit të reduktuar llogaritet duke shumëzuar masën e llogaritur të invaliditetit të plotë me koeficientin që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti
Kur përfituesi i një pensioni invaliditeti bëhet fizikisht ose psikikisht i paaftë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme të një personi tjetër, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15 përqind të bazës së vlerësuar neto. Shtesa mund të sigurohet edhe në rastet kur në ngarkim përfituesi ka fëmijë deri në moshën 18 vjeç, ose kur këta studiojnë apo janë të paaftë për punë deri në moshën 25 vjeç. Kjo e ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 përqind të pensionit bazë, por jo më shumë se 30 përqind.
Përfituesi i pensionit të invaliditetit, kur plotëson moshën, ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të.