Preç Zogaj
Këtë të mërkurë, në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, u mbajt debati i parë tradicional mes Presidentit Donald Tramp që garon për një mandat të dytë dhe sfidantit të tij demokrat, Joe Biden, ish senator dhe ish zëvendës president gjatë dy mandateve të Presidetit Barak Obama.
Siç pritej, ky debat mbajti të mbërthyer pra ekraneve , radiove dhe rrjeteve sociale qindra milion njerëz në SHBA dhe anembanë botës, zgjedhës amerikanë që do të vendosin kush do t’i qeverisë gjatë katër viteve të ardhshme dhe qytetarë të vendeve të tjera në të pesë kontinentet që janë të interesuar për fatin e zgjedhjeve më të rëndësishme të planetit. Sepse SHBA, për shkak të supremacisë si fuqi e madhe demokratike, kanë vazhduar e vazhdojnë ta qeverisin botën, siç thoshte Xhorxh Bush i Riu, në kuptimin që të përcaktojnë trendin e zhvillimeve botërore dhe të jenë forca numër një e paqes dhe sigurisë në botë. Me fjalë të tjera, t’u ofrojnë qeverisje të tërthortë edhe atyre që nuk janë zgjedhës amerikanë.
Debati i parë Tramp-Biden pritej me interes të shtuar edhe për shkak të simbolikave politike që mbartin dy rivalët: Presidenti Tramp bartës i atipikes në kontekstin amerikan dhe botëror, sfidanti Biden bartës i vazhdimësisë së shartuar me risitë që sjellin kohërat e reja. Ndërkaq, vetë plateja elektorale ka qenë më inkandeshente kësaj radhe për shkak të temave shumë të ndjeshme të aktualitetit, ku rivalet kanë qëndruar e qëndrojnë në dy skajet e litarit. Siç janë menaxhimi i Covid 19 dhe përplasjet e trazirat që shpërthyen pas vrasjes nga policia të afro amerikanit Gerge Floyd. Përballë këtyre ngjarjeve, presidenti Tramp i ka mëshuar sloganit Ligj dhe Rregull, kurse Biden principit të Drejtësisë.
Temat në fjalë u trajtuan në debatin e parë. Natyrisht, nuk ishin të vetmet. Pikëpamja më e përhapur e analistëve politikë ishte ajo që vuri në dukje radioja “Zëri i Amerikës ” në komentin e saj ku thuhej se “temat e debatit u lanë në hije nga përplasjet e vazhdueshme, që në një farë mënyre i shkojnë për shtat një fushate jashtëzakonisht të ashpër”. Kjo bëri që debati të mos vlerësohej si ndër të mirët, madje pati edhe vlerësime negative. Demokracia amerikane është një potpuri opinionesh të lira, ndaj nuk ka asgjë për tu çuditur kur një analist e vlerësoi edhe si më të keqin ndonjëherë në historinë moderne të politikës amerikane, ndërsa një tjetër propozoi që dy debatet e tjerë në program më mirë të mos zhvillohen.
Nuk është e qartë cili do të jetë fati i dy debateve të tjera pas infektimit të Presidentit Tramp me Covid 19 dhe karantinimit të tij për ketë shkak duke filluar nga dita e djeshme. Pra a do t’i premtojë koha dhe a do të lejohen nga stafet mjekësore ti zhvillojë këto debate, që në traditën amerikanë janë një normë. Sidoqë të jetë, me debate apo jo, në vijim të fushatës rivalët do të shfaqin pikëpamjet dhe programet e tyre për politikën e jashtme amerikane, një temë që u intereson më së shumti shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe kudo ku jetojnë. Përtej parapëlqimeve për njërin e tjetrin kandidat, që kur është fjala për njerëz që nuk votojnë janë njëlloj sporti politik, ajo që bashkon apo duhet të bashkojë shqiptarët përkundrejt garës për Shtëpinë e Bardhë është një politikë e jashtme aktive dhe misionare e SHBA në mbështetje të demokracisë, paqes dhe zhvillimit në botë. Kjo ka qenë dhe është mirë për ne, qoftë kur Presidenti ka qenë republikan, qoftë kur ka qenë demokrat. E njëjta gjë me Tramp dhe Biden, njëri prej të cilëve do të fitojë në zgjedhjet e 3 nëntorit. Disa ngjarje të mëparshme dhe të kohëve të fundit kanë treguar se Tramp nuk është de fakto izolacionist siç mund të dukej nga retorikat e tij . Me Trampin President, SHBA kanë njohur ushtrinë e Kosovës , vetë Presidenti me stafin e tij kanë vënë në agjendë normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë me synim final njohjen e ndërsjelltë. Në kuadër të këtij procesi me rendësi historike në 3 shtator u nënshkruan marrëveshja e parë mes dy vendeve në zyrën ovale, në një ditë të madhe shqiptare, serbe dhe rajonale në zyrën me të fuqishme të botës. Një gjë e ngjashme mund të thuhet për konsistencën e administratës Tramp në mbështetje të reformës në drejtësi, demokracisë dhe progresit në Shqipëri. Për Biden, s’kemi çfarë të themi. Ai, siç e ka dëshmuar sa e sa herë në qëndrimet dhe prononcimet e tij, e njeh “përmendësh” rajonin, Kosovën, Shqipërinë. Ai përfaqëson politikën që ka formular partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet preferenciale mes Amerikës së madhe me kombin shqiptar. Si përfundim, në atë që është aspirata jonë kryesore, ne jemi të fituar me të dy rivalët. Pavarësisht nuancave në qëndrimet e tyre për rajonin.
Për t’u kthyer të debati i së mërkurës, ai na sjell edhe njëherë para syve një shfaqje madhështore të kryqëzimit ballë përballë të të vërtetave, qëndrimeve, karaktereve, kompetencës, kulturës, klasit , etikës e deri të gjendjes fizike të kandidatëve që synojnë të marrin votëbesimin e qytetarëve për t’i qeverisur. Përballja në debate në të njëjtën studio a skenë është një detyrim në traditën demokratike amerikane dhe europiane. Një detyrim si shprehje respekti dhe nderimi për zgjedhësit që kanë nevojë ti shohin e ti dëgjojnë kandidatët duke dialoguar, duke kundërshtuar e korrigjuar njëri tjetrin. Në këtë mënyrë alternativat spikasin shumë më mirë se sa duke folur sekush nga llogorja apo kapsula e tij pa kundërshtarë përballë. Zgjedhësit kanë mundësi të gjykojnë më qartë e më mirë se kush është i duhuri për ti besuar votën.
Shembulli i debateve mes kundërshtarëve në SHBA, në Europë dhe kudo ku ka demokraci na kujton edhe njëherë se jemi vendi ku prej dy dekadash nuk ka në fushatat tona elektorale dhe as jashtë tyre debate politike ballë për ballë në nivelin e drejtueseve politikë kryesorë. Madje qëkur opozita dogji mandatet PS ka refuzuar të marrë pjesë në debate me kundërshtarët edhe në nivel deputetësh e drejtuesish politikë të rangut të dytë e të tretë. Ka gjasa të jemi shembull botëror në këtë pikë, shembull i keq kuptohet. Një nga arsyet përse është kaq i ngarkuar dhe i shëmtuar ligjërimi politik në vendin tonë është pikërisht zakoni i të folurit nga llogorja, pa kundërshtarin përballë. Dialogu dhe debati me kundërshtarin përballë imponojnë shumë me tepër maturi, saktësi, fakte, argumente. Shqiptarët çfarë nuk dëgjojnë majtas e djathtas, por ata janë të privuar t’i shohin dhe t’i gjykojnë partitë e politikanët kryesorë duke debatuar në një studio, në një platformë. Kjo padyshim është fyese për qytetarët. Komunikimi nga llogoret e ka tharë politikën, për të mos thënë e ka shndërruar në një falsitet.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i hodhi sërish dorashkën kryeministrit Rama pardje për të debatuar ballë për ballë. Kjo është një dorashkë-ofertë në hullinë e normalitetit, që Rama duhet të dijë e besoj do të dijë ta vlerësojë. Çështja është që gatishmëria e palëve për debat të mos mbetet në nivel deklaratash, por të programohet, të fillojë njëherë, pastaj të normohet , të bëhet zakon. Si fillim, zoti Rama duhet të heqë ndalimin e deputetëve të tij për t’u ulur në studio televizive përballë homologëve të opozitës. Tashmë është krejt pa kuptim justifikimi me djegien e mandateve. Me mandate, pa mandate, kjo është opozita. /Gazeta Liberale