MENU
klinika

Çështjet ku nuk bien dakord…

Pse përplasen Erdogan dhe Macron?

27.10.2020 - 09:25

Tensionet janë përsëritur sërish midis presidentëve të Turqisë dhe Francës.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u ka bërë thirrje turqve që të bojkotojnë produktet franceze mes një mosmarrëveshje të përshkallëzuar mbi mbështetjen e Parisit për të drejtën e karikaturave ndaj Profetit Muhamed.

Komentet të hënën erdhën vetëm disa ditë pasi Erdogan sugjeroi homologun e tij francez, Presidentin Emmanuel Macron, t’i nënshtrohej një kontrolli të shëndetit mendor pasi ai njoftoi një plan “për të reformuar Islamin” në mënyrë që ta bënte atë më të pajtueshëm me vlerat republikane të Francës.

Duke e përshkruar Islamin si një fe “në krizë” në të gjithë botën, Macron në fillim të tetorit njoftoi masat për të luftuar “radikalizimin” midis popullsisë myslimane të Francës, të vlerësuar gjashtë milion.

Tensionet në Francë u përshkallëzuan më tej pas vrasjes së Samuel Paty, një mësues i shkollës së mesme i cili u tregoi nxënësve vizatimet e Profetit Muhamed gjatë një diskutimi mbi lirinë e fjalës.

Ndërsa tërheqja nga ana e Francës e ambasadorit të saj në Turqi pas komenteve të Erdogan është një ndër përgjigjet për përshkallëzim të konfiktit midis tyre. Të dy udhëheqësit kanë patur mosmarrëveshje në muajt e fundit për çështje që variojnë nga konflikti në Libi te kërkimi i naftës në Mesdheun lindor.

Al Jazeera hedh një vështrim në episodet e ndryshme në të cilat dy liderët kanë patur reagime të ndryshme.

Islami

“Unë u bëj thirrje njerëzve të mi. Mos i kushtoni kurrë vëmendje markave franceze. Mos i blini,” tha Erdogan në një event në kryeqytetin turk Ankara dje.

Njoftimi i tij u parapri disa ditë më parë nga thirrjet për bojkot të mallave franceze në Lindjen e Mesme dhe më gjerë në botën myslimane në formë proteste ndaj Macron i cili premtoi se Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat”.

“Cili është problemi që ky person i quajtur Macron ka me Islamin dhe myslimanët? Macron ka nevojë për trajtim mendor,” tha Erdogan në një takim të Partisë së tij qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim gjatë fundjavës.

Macron është përpjekur të justifikojë reformat e tij të planifikuara duke sugjeruar që një komunitet paralel që jeton nën ligje të veçanta të dallueshme dhe në kundërshtim me vlerat laike të Francës po shihte dritën e diellit.

Autoritetet kanë urdhëruar tashmë mbylljen e një xhamie në një periferi të Parisit dhe filluan disa sulme kundër grupeve të akuzuara për kontribut në radikalizimin e të rinjve.

Konflikti Armeni-Azerbajxhan

Në Azerbajxhan si në Libi, Macron ka kundërshtuar mbështetjen e Erdoganit për një kamp rival, duke dënuar në fund të shtatorit atë që ai e quajti mbështetjen “e pamatur dhe të rrezikshme” të udhëheqësit turk të forcave azeriane në përpjekjen e tyre për të rimarrë rajonin e shkëputur dhe të pushtuar nga Armenia të Karabakut.

“Franca është jashtëzakonisht e shqetësuar për komentet luftarake që bëri Turqia … të cilat në thelb heqin çdo frenim nga Azerbajxhani në atë që do të ishte një ripushtim i Karabakut verior. Ne nuk do ta lejojmë,” tha presidenti francez.

Macron ditë më vonë pretendoi se Turqia kishte dërguar luftëtarë sirianë në mbështetje të forcave azeriane, duke përsëritur një akuzë të ngjashme të bërë në janar në Ankara mbi vendosjen e saj të “mercenarëve” sirianë në Libi.

Mesdheu Lindor

Erdogan në shtator paralajmëroi Macron “të mos ngatërrohej” me vendin e tij gjatë një mosmarrëveshje midis Greqisë dhe Qipros nga njëra anë dhe Turqisë nga ana tjetër.

“Mos u ngatërroni me popullin turk. Mos u ngatërroni me Turqinë,” tha Erdogan në një fjalim televiziv në ditën e 40 vjetorit të një grushti shteti të ndodhur në 1980.

Ankaraja dhe Athina janë ngatërruar në atë që është bërë gjithnjë e më shumë një mosmarrëveshje këmbëngulëse mbi burimet e hidrokarbureve në Mesdheun lindor që shpesh është tërhequr nga fuqitë evropiane, përfshirë Francën.

Macron kishte thënë disa ditë më parë se evropianët duhet të marrin një qëndrim “të qartë dhe të vendosur” jo kundër “Turqisë si komb dhe popull, por me qeverinë e Presidentit Rexhep Taip Erdogan, e cila ka ndërmarrë veprime të papranueshme”.

Libia

Macron në qershor kritikoi Erdoganin për atë që ai e përshkroi si “lojë të rrezikshme” të Ankarasë në Libi, ku Turqia dhe Franca mbështesin palët e kundërta në luftën civile të vendit për një kohë të gjatë.

“Unë tashmë kam pasur mundësinë t’i them shumë qartë Presidentit Erdogan, që mendoj se Turqia po luan një lojë të rrezikshme në Libi dhe po shkon kundër të gjitha angazhimeve të saj të bëra në konferencën e Berlinit,” tha Macron, duke iu referuar një takimi të paqes në të cilën Turqia dhe disa aktorë të tjerë të huaj u zotuan të ndalojnë armatimin e palëve ndërluftuese të Libisë.

“Ne nuk do të tolerojmë rolin që Turqia po luan në Libi.”

Franca është akuzuar për mbështetjen e komandantit ushtarak renegat ushtarak me bazë në Lindje, Khalifa Haftar, i cili në prill 2019 filloi një ofensivë për të hequr kontrollin e kryeqytetit nga Qeveria e Marrëveshjes Kombëtare të njohur ndërkombëtarisht, duke çuar në vrasjen e më shumë se 1.000 njerëzve dhe zhvendosjen e shumë të tjerëve.

Për Pierre Razoux të Fondacionit Mesdhetar të Studimeve Strategjike, strategjia e Erdogan ka për qëllim të shtyjë Francën në një veprim të gabuar dhe të largojë vëmendjen nga problemet e tij brenda dhe jashtë vendit.

“Erdogan po përpiqet të izolojë Francën dhe të ndajë Evropianët, kështu që ai të mund të godasë mbi të gjithë cilindrat,” tha Razoux.

Përkthyer dhe përshtatur nga: Aljazeera/ F.H, konica.al 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



"I gatshëm të ndalojë ofensivën e tij ushtarake në Gaza nëse..."

Netanyahu zbardh kushtet e Izraelit

Ja pse lëvizja e Moskës ka “tërbuar” Uashingtonin

Trupat ruse hyjnë në bazën e ushtrisë amerikane në Niger

Izraeli nuk heq dorë nga pushtimi i Rafahut

Pse sulmet e Tel Avivit mund të shkaktojnë një masakër?