Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në mbledhjen e gjashtë të përbashkët me Kosovën se Kosova është marrë peng nga dinamika të caktuara të vendeve të Bashkimit Europian.
Ai e cilësoi një ‘turp’ mosliberalizimin e vizave dhe përsëriti se nuk arrin ta kuptojë këtë, pavarësisht se ka folur me këdo ka mundur, nëpër Europë.
“Dialogu mbetet i vetmi instrument për të fituar cështjen e shtruar për zgjidhje, çdo bishtnim nga dialogu krijon fitore iluzore vetëm në rrjetet sociale dhe mexhelisin mediatik por e largon fitoren reale dhe e dobëson pozicionin e Kosovës, qoftë së brendshmi, qoftë së jashtmi në raport me botën.
Sot jemi në kushtet kur mund t’i shohim para syve qoftë pasojat e ndërrmarjeve të rrugëve pa rrugë, qoftë rezultateve për një rrugë me prespektivë. Në pak kohë u restaurua një krisje shumë e madhe që pati pasoja jo të vogla për Kosovën dhe u arrit të hidhej një hap që do flasë gjithmonë e më mirë në Washington.
Nuk di çfarë duhet të besoj për liberalizimin e vizave për Kosovën, ky është një turp për BE, një turp i pashlyshëm dhe i pajustifikueshëm përsa kohë mosliberalizimi i merituar, mbetet në fuqi, jo sepse Kosova s’ka bërë detyrat por për arsyet se Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme të vendeve të caktuara të BE, dhe Kosova duhet të presë si mbarojnë një palë zgjedhje në një vend dhe pastaj kur ka zgjedhje. kam folur papushim për këtë temë me të gjithë ata që kam takuar në Europë dhe akoma sot nuk arrij të kuptoj asgjë nga ato që thonë por kuptoj atë që s’thonë: që Kosova paguan me mosleberalizim të vizave, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e paguajnë me sajesa pas sajesash sipas konfiguracionit elektoral nga një vend në një vend tjetër dhe rajoni e paguan në tërësi”, u shpreh Rama.