Kryeministri Edi Rama thotë se Kodi Zgjedhor do të votohet në seancën e së hënës së Parlamentit.
Rama tha se Partia Socialiste është bërë shërbëtore e opozitës jashtë Parlamentit.
“Në këtë proces kemi qenë shërbëtor të përulur të të tjerëve. E them këtë me plot gojën. Këtë nuk e ka bërë asnjë parti e madhe në gjithë këto vite, duke qenë shërbëtor të një procesi ku përveç opozitës brenda parlamentit, kemi pritur, dëgjuar dhe shërbyer edhe për një opozitë tjetër jashtë Parlamentit. Të gjithë kanë marrë shumë më shumë se sa ne në këtë proces në sensin e asaj që kanë dashur.
Ne nuk kemi marrë çfarë kemi dashur në këtë proces dhe nuk ka në ligjin e ri elektoral asgjë që është aty sepse kështu duam ne. Ka një moment për t’i dhënë fund diskutimeve kur dy palët e tjera tërheqin nga vetja dhe duan gjithçka. Nuk mund t’i bëjmë të lumtura të dyja palët. Njëra do komisione zgjedhore politike, tjetra jo politike. Edhe ne jo politike i donim por i shërbyem opozitës jo parlamentare dhe i thamë po.
Njëra palë do të hapë listat sipas idesë së vetë dhe tjetra do koalicionet sipas idesë së vetë. Këtu nuk mund të pajtohen të gjitha bashkë. Edhe ne ushtruam peshën tonë dhe i thamë që ne duam bonusin për partinë e parë.
Ne nuk e kërkuam këtë dhe nuk e morëm. Nesër në Parlament do të votohet dhe natyrisht për të miratuar ligjin elektoral duhet një shumicë kushtetuese. Patjetër do të ishte një mrekulli që 100% e partive të ishin dakord. Por, kjo nuk ndodh në asnjë vend. Shikoni në Itali debatin midis shumicës qeverisëse. Shumica që vulos dhe vendos është shumica kushtetuese. Të tjerat nuk kanë asnjë vlerë.
Në jetë, vetëm kalamajtë e vegjël nuk mbajnë përgjegjësi dhe nuk mbajnë kostot për veprimet e tyre. Kur ikën nga Parlamenti ta kishin llogaritur që nuk mund të ushtrojnë fuqi mbi Parlamentin, edhe pse fuqinë për Parlamentin po e ushtrojmë ne, atë që ne nuk duam. Kemi bërë të gjitha përpjekjet për një konsensus sa më të gjerë. Nesër, mjafton që ligji të marrë 84 vota dhe këtë nuk do ta ndryshojë askush.”- tha Rama.