Jemi sërish në Verona. Ballkoni, po e njëjta kryefjalë: dashuria. Por jo më, historia tragjike shekspiriane. Kjo jona, e kohëve modene, është “ngatërresa” e papritur, por kokëfortë, mes një çifti të dashuruar rastësisht… çmendurisht… vërtetësisht. /Konica.al
Koronavirusi, nuk arriti “ta vrasë” dashurinë. Kjo dëshmohet nga historia e një çifti në Itali, që u njohën nga ballkoni, gjatë ditëve kur mbarë bota u mbyll brenda.
Ata janë fejuar dhe janë tashmë, “Romeo dhe Zhuljeta” e ditëve tona në Verona – qyteti që Shekspiri e zgjodhi si vendin e simbolit të dashurisë.
Për Mikelin (Michele D’Alpaos), ishte dashuri me shikim të parë. Ai e kujton me detaje, momentin kur pa 40-vjeçaren, Paola Agnelli, ndërsa ajo ecte në tarracën e banesës së saj në Verona.
“Ishte pasditja e 17 marsit, kur u detyrova të punoja nga shtëpia, për shkak të izolimit” – tha Mikeli, për CNN. “Pashë këtë vajzë të bukur, Paolën! U trondita menjëherë nga bukuria e kësaj vajze, nga buzëqeshja e saj… Duhej ta njihja!..”
Ata kishin jetuar përballë njëri-tjetrit, pothuajse gjithë jetën, por nuk ishin parë asnjëherë. Atë pasdite, ndërsa motra e luante në violinë në ballkon, si çdo mbrëmje, Paola dalloi shikimin e Mikelit.
“Menjëherë, mendova: sa djalë i bukur!” – tha ajo.
Ndërsa të dy ishin të panjohur deri atë çast, mënyrën për t’i bashkuar e gjeti fati.
Paola, rastësisht njohu motrën e Mikelit, pasi frekuentonin të njëjtën palestër dhe ndiqnin njëra-tjetrën, në “Instagram”. Mjaft afër, për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit nga ballkoni, por shumë larg për t’u përqafuar, të dy i kaluan ditët e netët duke biseduar, duke qeshur e duke mësuar më shumë për njëri-tjetrin.
Ndërsa Italia mbeti nën izolim për shkak të pandemisë, ata nuk kishin zgjidhje tjetër, përveç se të qëndronin larg. Por, më 4 maj, gati dy muaj nga fillimi i historisë së dashurisë, Paola dhe Mikeli, më në fund, mundë të takoheshin në kopshtin afër shtëpive të tyre.
“As që folëm… U ulëm në një stol dhe u puthëm për gjysmë ore, si dy adoleshentë” – tregoi Mikeli.
Tanimë, pa plane konkrete për një martesë formale, të dy kanë dëshirë të krijojnë familje.