MENU
klinika

"Shqipëria e madhe"

Serbia i kundërpërgjigjet Shqipërisë me notë proteste

07.10.2020 - 19:15

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë njoftoi se ka thirrur të mërkurën ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka për t’i dorëzuar atij një notë proteste lidhur me deklaratat e bëra gjatë takimit të të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë më 2 tetor në Tiranë, për heqjen e kufirit mes këtyre dy të fundit.

“Deklaratat e tilla, të cilat përfshijnë bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës dhe krijimin e një Shqipërie të Madhe, paraqesin një arsye të justifikueshme shqetësimi, si për Republikën e Serbisë ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit të angazhuara për ruajtjen e stabilitetit dhe intensifikimin e bashkëpunimit në rajon”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme serbe.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme serbe vjen pas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, e cila të martën e ka thirrur ambasadorin serb në Tiranë për t’i përcjellë Serbisë një notë proteste, pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin.

“Duke deklaruar se Porti i Durrësit do të jetë i Kosovës, Edi Rama vazhdon të punojë për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’”, është shprehur ai.