MENU
klinika

Marrëveshja po arrihet

SHBA-ja dhe Rusia shumë pranë zgjatjes së traktatit bërthamor

21.10.2020 - 18:11

Negociatori kryesor për kontrollin e armëve në administratën Trump është në Bruksel duke informuar kolegët e NATO-s mbi statusin e bisedimeve.

SH.B.A. dhe Rusia të martën afruan planet mes tyre për të zgjatur Traktatin e Ri të Reduktimit të Armëve Strategjike për një vit në këmbim të ngrirjes së të gjitha armëve bërthamore, një hap pozitiv ky mes kombeve.

Rusia i afroi palët të martën kur ra dakord për një ofertë të SHBA që të dy vendet duhet të ngrinin numrin e tyre të kokave bërthamore të të gjitha llojeve për një vit.

“Propozimi ynë mund të zbatohet vetëm dhe ekskluzivisht nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të vendosin asnjë kusht tjetër shtesë në lidhje me ngrirjen e arsenaleve,” tha Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë.

“Nëse kjo që vendosëm është në interes të Uashingtonit,” thuhet në deklaratë,” koha e fituar përmes zgjatjes së Fillimit të Ri mund të përdoret për të zhvilluar bisedime dypalëshe gjithëpërfshirëse mbi të ardhmen e kontrollit të raketave bërthamore dhe mund të diskutojmë rreth të gjithë faktorëve që mund të ndikojnë në stabilitetin strategjik.”

Presidenti rus Vladimir Putin më parë kishte propozuar zgjatjen e traktatit për pesë vjet pa ndonjë parakusht, të cilin SH.B.A. e hodhi poshtë. Në fund të javës së kaluar, Putini propozoi një zgjatje një-vjeçare pa kushte dhe SH.B.A.-të kundërshtuan duke thënë se çdo marrëveshje duhet të përfshinte ngrirjen një-vjeçare në të gjitha armët bërthamore, përfshirë ato që nuk mbulohen nga Starti i Ri.

Administrata Trump të martën dha një notë pozitive pas deklaratës së Rusisë. “Ne e vlerësojmë gatishmërinë e Federatës Ruse për të bërë përparim në çështjen e kontrollit të armëve bërthamore,” tha Megan Ortagus, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, në një deklaratë.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të takohen menjëherë për të përfunduar një marrëveshje. Ne presim që Rusia të nxisë diplomatët e saj të bëjnë të njëjtën gjë.”

Ambasadori Marshall Billingslea, negociatori kryesor i kontrollit të armëve të Trump, është në Bruksel duke informuar anëtarët e tjerë të NATO-s mbi statusin e bisedimeve.

Start i ri, i cili filloi në 2010, kufizon të dy palët në 1,550 koka strategjike dhe 700 sisteme shpërndarjeje. Ai skadon më 5 shkurt, por lejon një zgjatje deri në pesë vjet nëse të dy palët bien dakord. Kundërshtari i Trump, Joe Biden ka thënë se ai do të zgjasë traktatin me Rusinë për pesë vjet pa parakushte, ndërsa Trump ka insistuar në një marrëveshje të re që kufizon gjithashtu armët bërthamore jostrategjike, ose në fushëbetejë.

“Është një fitore e madhe sepse pa marrë parasysh kush i fiton zgjedhjet, ky është një përparim i rëndësishëm”, tha Rebeccah Heinrichs, një eksperte e kontrollit të armëve në Institutin Hudson.

“Ne padyshim që kemi nevojë për një plan të detajuar verifikimi përpara se SH.B.A. të shkojë përpara me një zgjatje prej një viti,” tha ajo.

“Një plan i detajuar i verifikimit duhet të jetë element thelbësor i marrëveshjes. Gjithsesi e gjitha kjo përbën angazhim të rëndësishëm nga ana e Rusisë,” shtoi ajo.

Daryl Kimball, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Kontrollit të Armëve, tha se rusët kanë ndryshuar qëndrim nga zgjatja fillestare pesë-vjeçare. “Dhe administrata Trump ka ndryshuar pozicionin e saj gjithashtu,” shtoi ai.

“Një ngrirje një vjeçare do të ofronte pak kohë për të negociuar diçka më të qëndrueshme,” tha Kimball.

START-i i ri kërkon që secila palë të deklarojë dy herë në vit se sa koka strategjike ka, por nuk ka ndonjë llogari zyrtare të ndarjes së plotë.

Përkthyer dhe përshtatur nga: Dailynews/ F.H, konica.al 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN