Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan sot në Tiranë dy marrëveshje. Nënsekretari amerikan për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach firmosi me ministren shqiptare të Financave dhe Ekonomisë Anila Denan, Memorandumin e Bashkëpunimit Ekonomik, ndërsa ministrja e Infrastruktrës Belinda Balluku nënshkroi Memorandumin e mirëkuptimit me kompaninë amerikane Bechtel për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një prej veprave më të rëndësishme energjitike të vendit. Siguria 5G ishte një tjetër temë e rëndësishme në bisedimet mes zotit Krach dhe autoriteteve shqiptare
Për kryeministrin Edi Rama e sotmja ishte “një ditë e shënuar në marrëdhëniet e miqësisë së posaçme dhe të partneritetit të paçmueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Memorandumi që nënshkruajmë sot për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e nje kapitulli të ri për investimet e drejtëpërdrejta, jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar”.
Edhe për Nënsekretarin amerikan Keith Krach “ky është një hap i rëndësishëm dhe madje një katalizator i rëndësishëm për shtrimin e rrugës për rritjen e tregëtisë dhe investimeve përfshirë dialogun ekonomik në të ardhmen ndërmjet dy vendeve tona. Drita e investimeve të huaja vecanërisht për firmat në Shtetet e Bashkuara do të krijojë vende pune më të mira, mmundësi më të mira për të rinjtë në Shqipëri e do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të mirë biznesi”
Por angazhimi i Shteteve të Bashkuara do të përkthehet në terma konkretë edhe për një nga veprat më të rëndësishme energjitike të vendit, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Kryeministri Rama tha se pala amerikane do të ofrojë ekspertizën e saj, teknologjinë si dhe financim për realizimin e këtij projekti së bashku me qeverinë shqiptare.
Memorandumi i firmosur mes ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku dhe kompanisë amerikane Bechtel “do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit një ëndërr 50 vjeçare që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës, gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur në burime hidroenergjitike, por i varur në vijimësi nga moti dhe nga importi, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë”, nënvizoi kryeministri Rama..
Në bisedimet me Nënsekretarin amerikan një vend të rëndësishëm ka zënë dhe siguria 5G. Zoti Krach tha se “kërcënimi i privatësisë së të dhënave, pronësisë intelektuale dhe sigurisë kombëtare vjen nga ndërhyrja e aktorëve malinj siç është Partia Komuniste kineze”. Ai vlerësoi mbështetjen e hapur që Shqipëria i ka dhënë nismës amerikane për Rrjet të pastër, e cila “trajton kërcënimet afatgjata të privatësisë së të dhënave, të sigurisë, së të drejtave të njeriut dhe bashkëpunim parimor paraqitur botës së lirë. Rrjeti i pastër është i rrënjosur me standardet e besimit të gjithanshëm të pranuar ndërkombëtarisht. Ai përfaqëson ekzekutimin e një strategjie shumëvjeçare të ndërtuar mbi një koalicion partnerësh të besuar, vendesh dhe kompanishë. Rrjeti i pastër në fakt ka çuar në një valë vendesh që kanë marrë një qëndrim parimor kundër shitësve jo të besueshëm e me rrezik të lartë siç është Huawei”.
Kryeministri Rama nga ana e tij theksoi se “Shqipërisë dhe rajonit i duhet një qasje strategjike për të patur një rrjet të sigurtë në procesin e kalimit në nivele të tjera të digjitalizmit dhe të transferimit të të dhënave. Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon jo thjeshtë si një rol konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe fuqizimin e dialogut, por si një rol proaktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5G”.
Dy ditë më parë, kryeministri Rama mori dhe një letër falenderimi nga Presidenti Trump për qëndrimin që Shqipëria ka mbajtur ndaj “ndikimeve malinje të Kinës”.