Pas dy dekadave negociata dhe një marrëveshje të dështuar, Shqipëria dhe Greqia njoftuan të martën se do t’i drejtoheshin gjykatës ndërkombëtare për përcaktimin e kufirit detar në detin Jon. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës së dytë zyrtare të ministrit të Jashtëm grek, Niko Dendias në Shqipëri dhe ka ngjallur mjaft reagime në Tiranë, ndërkohë që në Athinë është konsideruar si një arritje diplomatike. Dy qeveritë planifikojnë dy vite negociata dy-paleshe përpara se t’i drejtohem Gjykatës së Hagës, me argumentin se kjo do të lehtësojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeje.
Por Greqia dhe Shqipëria nuk janë vendet e vetme nga Ballkani që i janë drejtuar gjatë dekadës që po lëmë pas Hagës. Një precedent i ngjashëm është ai Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat, pavarësisht përpjekjeve, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të mos kenë një kufi të përcaktuar detar.
Rruga që bashkoi dy vendet drejt Hagës dhe që i ndau sërish më vonë, duke mos zbatuar vendimin e gjykatës ndërkombëtare shërben edhe si një shëmbëlltyre e asaj që mund të ndodhë gjatë negociatave për ndarjen e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë. Dhe duke parë Kroacinë dhe Slloveninë, gjasat janë që asnjëra palë të mos dalë e lumtur nga dera e Hagës.
Dy vendet fqinje, të dyja anëtarë të NATO-s dhe BE-së, po luftojnë për më shumë se 670 km kufij detarë në Gjirin e Piranit. Historiku i kësaj çështje ekspozohet nëpërmjet një problematike të mbartur që prej shpërbërjes së ish- Jugosllavisë, kur të dy vendet fituan pavarësinë në vitin 1991. Me një vijë bregdetare prej 37 km Sllovenia bllokohet nga ujërat e shteteve fqinjë, Italisë dhe Kroacisë.
Pretendimet territoriale u shndërruan në tensione të jashtëzakonshme politike, pasi ashtu si Greqia, edhe Sllovenia përdori letrën e integrimit në Bashkimin Europian për t’i bërë fillimisht presion Kroacisë të “hapte rrugë” dhe më pas për ta çuar çështjen në gjykatat ndërkombëtare.
Duke pretenduar për një korridor, që i mundësonte daljen në ujërat ndërkombëtarë, Sllovenia bllokoi bisedimet për anëtarësimin e Kroacisë, deri në arritjen e një marrëveshje mes palëve. Për Kroacinë, kjo çështje u kthye në një sfidë të jashtëzakonshme kombëtare, pasi i duhej të hiqte dorë nga një territor detar.
Zagrebi zyrtar nuk rezistoi shumë ndaj presionit dhe në vitin 2001, dy qeveritë nënshkruan një marrëveshje që mundësonte krijimin e një korridori për dalje në ujërat ndërkombëtar të Sllovenisë.
Por ashtu siç u bllokua marrëveshja e vitit 2009 mes Greqisë dhe Shqipërisë nga Gjykata Kushtetuese, as pakti midis Lubjanës dhe Zagrebit nuk u ratifikua nga parlamenti kroat, pasi presioni opozitar dhe ai popullor ishte i lartë duke akuzuar qeverinë në fuqi për tradhti të interesave kombëtare.
Bllokimi i procesit të negociatave dhe mos hapja e kapitujve të tjerë legjislativë për shkak të vetos sllovene solli dhe ndërhyrjen në nivel europian.
Një sërë deklaratash të përfaqësuesve të lartë europianë i bënin thirrje Sllovenisë për mos bllokim të procesit për shkak të çështjeve të pazgjidhura dypalëshe. Si zgjidhja më e mirë në këtë situatë u pa gjykata ndërkombëtare, një hap që u përqafua sidomos nga Sllovenia.
Dy vendet shkojnë në Hagë
Më 4 nëntor 2009, kryeministrat e Kroacisë dhe Sllovenisë nënshkruan një marrëveshje të dytë, nëpërmjet së cilës dy vendet binin dakort ta çonin mosmarrëveshjen e tyre territoriale dhe detare në Gjykatën Ndërkombëtare.
Deklarata u nënshkrua nga kryeministrat e atëhershëm Borut Pahor dhe Jadranka Kosor në Stokholm dhe ashtu si në rastin e Greqisë dhe Shqipërisë, vinte pas gati dy dekadash bisedimesh të dështuara kufitare.
Marrëveshja parashikonte ndarjen e kufirit tokësor dhe detar në gjykatën e Hagës, të cilës i takonte po ashtu të vendoste gjithashtu për një regjim për përdorimin e zonave detare në mënyrë që të zgjidhet edhe çështja e peshkimit.
Për një periudhë kohe, duket se konflikti po shkonte drejt zgjidhjes. Megjithatë, paraqitja e dokumenteve dhe hartave në Hagë nga të pala sllovene dhe kroate, mori më shumë se dy vite.
Pas një takimi të parë procedural në 13 prill të vitit 2012, Kroacia dhe Sllovenia patën tre raunde të paraqitjeve me shkrim, të cilat u shoqëruan nga mbi dy mijë ekspoze dokumentesh dhe hartash.
Nga 2 deri më 13 qershori vitit 2014, u zhvillua një seancë dëgjimore në Pallatin e Paqes, gjatë së cilës të dy palët paraqitën pozicionet e tyre.
Në vitet që pasuan, vazhdoi normalisht paraqitja e argumenteve dhe hartave, por në 2015 u bë e qartë se procesi nuk i ishte i paanshëm.
Në korrik të atij viti, gazeta kroate “Večernji List” publikoi një regjistrim të bisedave telefonike midis anëtarit slloven të gjykatës së arbitrazhit Jernej Sekolec dhe një agjentit slloven Simona Drenik duke diskutuar detaje të diskutimeve konfidenciale të gjykatës.
Skandali bëri që Kroacia të tërhiqej nga procesi i arbitrazhit, duke e quajtur atë të kompromentuar, megjithëse gjykata më vonë vendosi të rifillojë punën e saj. Sikur të mos mjaftonte kjo, më vonë u zbulua se Sekolec ishte përgjuar nga Shërbimi Informativ Kroat (SOA).
Pasi rinisi edhe njëherë punën, Gjykatës së Hagës iu deshën plot 7 vite që të merrte një vendim dhe më 29 qershor të vitit 2017, Tribunali dha një vendim përfundimtar në një seancë publike në Pallatin e Paqes në Hagë.
Haga i dha Sllovenisë pjesën më të madhe të Gjirit të Piranit, si dhe një rrip që zgjate 2.5 milje detare në gjerësi, i cili do të ishte kryqëzimi i Sllovenisë me detet e hapura. Ajo përcaktoi që kufiri detar të vendosej në vijën mbyllëse të Gjirit të Piranit, edhe pse më parë kishte vendosur që Gjiri i Piranit kishte statusin e gjirit juridik dhe se ujërat e tij kishin statusin e ujërave të brendshëm.
Kufiri midis palëve në Gji ishte vendosur ‘mbi bazën e të njëjtave parime që janë të zbatueshme për caktimin e territoreve tokësore. Pika nga ku u bazua ndarja e zonave detare përbënte pikën përfundimtare të kufirit të ujërave të brendshme të palëve në Gjirin e Piranit. Kjo do të thoshte se kufiri kalonte mes për mes Kepit Madona në Slloveni dhe Kepit Savudrija në Kroaci, duke i ofruar Sllovenisë daljen në ujërat ndërkombëtare.
Duke qënë se vendimi i dha njërës palë atë që dëshironte, politikanët sllovenë kërkuan zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes, por ashtu siç edhe pritej, Kroacia e hodhi poshtë me forcë.
Zagrebi kërkoi që vendet të përfshiheshin përsëri në bisedime dypalëshe, por Sllovenia deri më tani e ka hedhur poshtë këtë mundësi. Ministri aktual i Jashtëm Anže Logar tha kur filloi mandatin e tij se vendimi i gjykatës ishte i qartë dhe se vendimet ligjore të gjykatave ndërkombëtare duhet të respektohen. Madje, Sllovenia vendosi ta çojë Kroacinë në gjyq për moszbatimin e vendimit të arbitrazhit.
Sidoqoftë, gjatë dëgjimit të tij në parlament para se të merrte detyrën ai propozoi emërimin e një të dërguari të posaçëm për Kroacinë, duke vërejtur se ishte koha për zgjidhjen njëherë e mirë të kësaj cështjeje.
Një dekadë pas, dy vendet iu drejtuan Hagës, pot Logar mbetet optimist. “E di që disa ende mendojnë sot se Sllovenia duhet të kishte më shumë kur bëhet fjalë për kufirin, por shumë menduan kështu për 18 vjet por nuk ishin të suksesshëm. Tani kufiri është vendosur, Kroacia do ta pranojë atë herët a vonë,” deklaroi ai së fudmi.
E dëshpëruar për respektimi e kësaj marrëveshjeje, Sllovenia i kërkoi në fillim të vitit 2020 Gjykatës Europiane të Drejtësisë të merrte masa ndaj Kroacisë, duke thënë se kishte shkelur ligjin Europian duke mos zbatuar një vendim të arbitrazhit kufitar.
Por Gjykata nuk pranoi të ndërhynte duke thënë se nuk kishte juridiksion në detyrimet e secilës palë në mosmarrëveshje. Pasi Komisioni Europian refuzoi të përfshihej, duke deklaruar neutralitetin, në korrik të vitit 2018, Sllovenia ngriti një padi para Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
Por nga ana e saj Kroacia është e prerë për mos pranimin e këtij vendimi. Pavarësisht dekadave të tëra të diskutimeve diplomatike dhe negociatave në Hagë, Kroacia vazhdon edhe sot e kësaj dite të dërgojë ushtarakë për të ruajtur anijet e saj të peshkimit në ujërat e pretenduara nga dy vendet dhe duke parandaluar inspektorët sllovenë që të hipnin në anije.
Ky precedent i dy vendeve anëtarë të BE-së ngre pikëpyetje të mëdha për përcaktimin e kufirit detar midis Shqipërisë dhe Greqisë nga Haga, edhe pse si Rama ashtu edhe Dendias e cilësuan si zgjidhjen më të mirë.(SI)