MENU
klinika

"Kërko ti falje, për mbështetjen e vrasësve nga UÇK-ja!"

Vijon debati i ashpër, Vulin i përgjigjet Ramës

07.10.2020 - 07:14

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do t’i dërgojë një notë verbale Serbisë për deklaratat e ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin i cili akuzoi se Shqipëria po tenton krijimin e Shqipërisë së madhe, ditën që u zhvillua takimi midis dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare ka vazhduar procesin, ambasadori serb është thirrur ose do të thirret për të informuar shtetin serb se asnjë gojë e shfrenuar në qeverinë serbe nuk mund të dëmtojë qeverinë shqiptare ose figurën e ministrit apo kryeministrit shqiptar”, deklaroi Rama paraditen e sotme.

Mirëpo kjo deklaratë e kreut të qeverisë nuk është pritur mirë nga Vulin dhe ky i fundit nuk e ka kursyer një përgjigje. Vulin është shprehur se është Rama që duhet të kërkojë falje pasi sipas ministrit serb, ai duhet të kërkojë falje për Shtëpinë e Verdhë dhe për mbështetjen e vrasësve nga UÇK-ja.

“Kur ai mbeti pa argumente, Rama i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme për ndihmë. Asgjë e re, ishte kështu gjatë gjithë historisë deri në agresionin e NATO-s, dikush gjithmonë është duke thirrur për ndihmë dhe kundër serbëve. Le të kërkojë falje Rama për Shtëpinë e Verdhë, le të kërkojë falje për mbështetjen e vrasësve nga UÇK-ja dhe pastaj le të kërkojë që dikush të trajtojë kotësinë e tij të plagosur,” shtoi ai.

“Për vendin e Esad Pashë Toptanit, ka pak katastrofa më të mëdha se Rama, por kjo është çështje e Shqipërisë, dhe katastrofa që një ‘Shqipëri e Madhe’ do të bënte në Ballkan është fatkeqësia e të gjithë neve që jetojmë në Ballkan, dhe kjo është arsyeja pse unë do të luftoj kundër tij” tha Vulin.

Kujtojmë se ky debat i ashpër midis tyre ka filluar pas deklaratës së kryeministrit Rama në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive, Shqipëri-Kosovë, ku u tha se Porti i Durrësit do të jetë “de facto” port i Kosovës.

Këtë deklaratë, ministri serb Vulin e ka komentuar si një tregues se Rama po punon për krijimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe pas kësaj, Rama përmes një postimi në Twitter i ka kërkuar llogari presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç për deklaratën e bërë nga ministri në fjalë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Vuçiç të kërkojë ndjesë, gojët e shthurura s’mund të na lëndojnë!"

Rama “ngre tonet” ndaj Serbisë dhe paralajmëron me notë verbale