MENU
klinika

Kushtet

Shtesat dhe pensionet/ Përfituesit e rinj të pagesave suplementare

24.10.2020 - 20:46

Vijon puna për konfirmimin e përfitimeve të reja suplementare në radhët e personave që kanë punuar në miniera në nëntokë, punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit, si dhe atyre që kanë punuar në sektorin e metalurgjisë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka zbardhur gjatë ditës së djeshme listën e 97 përfituesve të rinj që sigurojnë pensione dhe shtesa mbi pensionin, si shkak i punëve të kryera në këto profesione, përfitimet e të cilëve janë llogaritur përgjatë kësaj jave. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën e përfituesve sipas vendbanimit.

Burimet zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore pohojnë se janë me qindra kërkesa të tjera në radhë për t’iu nënshtruar verifikimeve për kushtet e përfitimit. Çdo person që është pjesë e listës së detajuar në vijim, duhet të paraqitet pranë pikave të autorizuara për tërheqjen e pensioneve dhe shtesave që u takojnë për profesionin e kryer.

Përfitimi, sipas përcaktimeve në ligjin Nr. 29/2019, jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij, ose pranë sporteleve të shërbimit në ato bashki ku ndodhet vendbanimi i përhershëm i personit, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rregulloreve të ISSH-së.

Kushtet e përfitimit të shtesave dhe pensionit

Sipas kushteve të përcaktuara më herët, shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe mbi pensionin e invaliditetit,mund të përfitojnë: ish-punonjësit, sipas përcaktimeve në ligjin për trajtimet suplmentare, të cilët kanë përfituar pension pleqërie ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Shtesën mbi pension e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj; Gjithashtu shtesën mbi pension e përfitojnë edhe personat që marrin pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, kur data e lindjes së të drejtës për pension është deri më 31.12.2014.

Ndërsa pension për shkak të profesionit kanë të drejtë që ta përfitojnë ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë; trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij. Të drejtën e marrjes së këtij lloj përfitimi e gëzojnë edhe të gjithë ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”.

Po ashtu kanë të drejtë që të marrin pension për shkak të profesionit edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 2, “Punë, që hyjnë në kategorinë e dytë, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kategoria tjetër që trajtohet me pensione të kësaj kategorie janë edhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve në krerët III, VIII e XII, të pasqyrës nr. 1, të vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.