MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si ta dallojmë “kollën e mirë”?

13.10.2020 - 10:17

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Si ta dallojmë “kollën e mirë”?

Mjeku: Rreth 16 milionë njerëz në gjithë botën u prekën nga kolla e mirë (emri mjekësor: Pertussi) në vitin 2015, duke shkaktuar një numër të konsiderueshëm komplikacioneve deri në humbje të jetëve njerëzore. Epidemia e parë përshkruhet në vitin 1600.

Identifikimi i mikrobit shkaktar u bë i mundur në vitin 1906. Aplikimi i vaksinës, për herë të parë u realizua në vitin 1940. Kjo solli zbutjen e shenjave të sëmundjes dhe mbrojtjen e fëmijëve nga komplikacioneve që sjell kjo sëmundje.

Pertussi qarkullon i lirë në natyrë dhe mbartës i vetëm është njeriu. Shfaqet si kollë që zgjat mbi 3 javë deri në tre muaj. Kolla është e thatë, me kriza të forta, mbytëse, sidomos natën, ose kur rri shtrirë. Kriza përfundon me një frymëmarrje të thellë me zhurmë; kërkon të nxjerrë pak gëlbazë, por e ka të vështirë ta shkëpusë. Gjendja është e mirë, jashtë krizës, dmth nuk ka vështirësi në frymëmarrje, as temperaturë të lartë.

Para shpikjes së vaksinës kjo sëmundje kishte vdekshmëri deri në 30%, sidomos në fëmijëve e lindur nën peshë, ose latantë. Në fazën e parë kolla çfaqet si një Katar i stinës. Pikërisht kjo është faza që infekton edhe të tjerët përreth. I sëmuri mund ta përhapë infeksionin tek të tjerët deri në një muaj. Në javën e dytë shfaqen abceset e kollës, të cilat mund të provokojnë pika hemoragjike në sy, në fytyrë dhe ënjtje të qepallave. Është shumë karakteristike kjo shenjë.

Për ato fëmijë 0-1 vjeç që nuk e kanë marrë vaksinën, komplikacioni më i shpeshtë është Bronkopneumonia, me kriza apneje dhe hypoksi të trurit. Të tilla raste mjekohen në spital sepse ka nevojë për asistencë teknike.

Makrolidet( Eritromycina, Klaritromycina ) kapin efekte të mira.
Imuniteti në pertussis nuk transmetohet nga nëna tek fëmija. Pra, kemi patur raste edhe tek fëmijët e porsalindur. Krizat e kollës së fortë spastike mund të japin hypoksi të trurit deri në encefalit. Ky është komplikacion i rrallë por nëse prek fëmijën e porsalindur, lë pasoja serioze.

Diagnoza vendoset më tepër me shenjat klinike. Kolla me abcese është shumë tipike. Edhe gjyshet tona e njohin këtë lloj kolle. Praktikisht bëhet një formulë e gjakut në laborator, ku konstatohen leukocite të larta, siç i gjejmë edhe në infeksionet e tjera, në përgjithësi.
Mënyra më e mirë për tu mbrojtur është vaksinimi.

Meqenëse vaksina mund të japë temperaturë të lartë, në treg ka hyrë vaksina acelulare. Tek kjo e fundit, vaksina përbëhet nga antigeni i bordetela pertussis. Si e tillë parandalon temperaturën e lartë nga vaksina.

Në këtë kuadër, në tregun farmaceutik qarkullon edhe Hexavaksina, e cila përfshin edhe poliomielitin acelular.

Përsosmëria e vazhdueshme e prodhimit të vaksinave ka sjellë që fëmijët ta tolerojnë më mirë pentavaksinën. Fillon të aplikohet në moshën 2 muaj, 4muaj, 6 muaj. Ky tip vaksine është e lidhur me fosfat alumini. ( Nuk ka zhivë në përmbajtjen e saj).

Edhe të rriturit mund të preken nga kolla e mirë, por shenjat janë më të lehta.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.