“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacientja: Si të përballoj depresionin pas lindjes?
Mjeku: Ky është një problem që trajtohet nga mjeku, i cili përcakton shkallën e depresionit dhe vendos terapinë e duhur. Ajo që do të rekomandonim në kushtet e shtëpisë është që gratë gjatë kësaj periudhe duhet të jenë të hapura në bashkëbisedim me bashkëshortin dhe familjarët e afërt. Kërkoni ndihmë në punët e shtëpisë dhe ndani përkujdesjen për fëmijën me bashkëshortin. Ushqehuni mirë gjatë kësaj periudhe dhe mos mendoni për peshën trupore. Natyrisht që edhe ushqyerja duhet të jetë e shëndetshme sipas këshillave të mjekut. E rëndësishme është të merreni edhe me aktivitete fizike për të rritur metabolizmin (djegia e kalorive të marra). Bisedoni me nënat e tjera për të mësuar nga përvojat e tyre. Hiqni dorë nga përgjegjësia për të bërë gjithçka vetë. Kur fëmija fle mundohuni të flini edhe ju dhe jo të merreni me punët e shtëpisë. Për këtë kërkoni ndihmën e familjarëve të tjerë. Nga depresioni i nënës mund të vuajë edhe foshnja, duke shkaktuar tek ajo vonesa në zhvillimin e gjuhës, probleme të lidhjes emocionale me të tjerët, probleme të sjelljes, nivele më të ulëta të aktivitetit, probleme me gjumin dhe ankthin. Prandaj ky problem duhet trajtuar me shumë kujdes. Të gjithë fëmijët meritojnë mundësinë për të pasur një nënë të shëndetshme dhe të gjitha nënat meritojnë mundësinë për të shijuar jetën dhe fëmijët e tyre. Ndaj, nëse jeni duke përjetuar simptomat e depresionit gjatë shtatzanisë, ose pas lindjes së foshnjës, ju lutem kërkoni ndihmë menjëherë të njerëzit tuaj më të dashur.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.