Detaje të tjera dalin në dritë pas vrasjes së dyfishtë në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe.
Ka qenë babai i Danjel Pepajt, Rrok Pepaj ai që ka dërguar policinë pranë parcelave me kanabis.
Ndërkohë, Klement Pepaj sipas News 24, është gjetur i vrarë me një plumb në ballë, ndërkohë që viktima e dytë, Vilson Çutaj ka disa plumba në brinjë dhe në barkë.
Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur pasditen e 3 tetorit dhe autor dyshohet të jetë Danjel Pepaj, i zhdukur që prej asaj dite.
Të rinjtë me lidhje farefisnore midis tyre, mësohet të kenë pasur konflikte për vjedhjen e lëndës narkotike që e kishin mbjellë zonën malore.
- Ngjarja
Më datë 3 tetor, ditën kur dyshohet se ka ndodhur ngjarja, tre shtetasit e mësipërm kanë shkuar në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe, ndërsa i ka dërguar me makinë vëllai i Vilson Çutaj, shtetasi Olsi Çutaj.
Te lokali në Bajzë shtetasit Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dyshohet të kenë dhunuar fizikisht personin tjetër, Danjel Pepaj, duke e akuzuar se i kishte vjedhur një sasi prej 20 kilogramë kanabis sativa, nën dyshimin se e ka korrur pa u treguar atyre dyve.
Në dëshminë e tij, vëllai i Vilson Çutaj ka deklaruar për policinë se ai nuk ka dëgjuar se për çfarë konflikti bëhej fjalë, pasi tre shtetasit e kanë zhvilluar debatin në pjesën mbrapa lokalit.
“Kur kam dëgjuar se po bërtisnin jam ngritur nga lokali dhe kam shkuar për t’i ndarë, por nuk e di për çfarë konflikti bëhet fjalë”, ka deklaruar vëllai i Vilson Çutaj.
- DYSHIMET SE I VODHI HASHASHIN
Policia ka dyshime të forta se shtetasi Danjel Pepaj i ka thënë dy të tjerëve se do t’ua gjente ai mallin prej 20 kilogramësh të hashashit, ndërsa janë nisur drejt fshatit Vrith në Malësinë e Madhe.
Në mal dyshohet se te vendi ku mund të ketë pasur drogën të fshehur, ka qenë edhe arma me të cilën dyshohet se ka vrarë Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dhe më pas dyshohet se ka zhdukur trupat e pajetë. Vëllai i Vilsonit, Olsi Çutaj, ka deklaruar në dëshminë e tij, se ai vetë ka qëndruar poshtë te lokali në Vrith për të pritur të vëllanë dhe dy të tjerët.
“Nga Bajza kemi shkuar të katërt drejt Vrithit. Unë kam qëndruar tek lokali, ndërsa vëllai dhe dy të tjerët kanë shkuar në drejtim të malit për të sqaruar konfliktin mes tyre. Nuk e kam idenë se për çfarë konflikti bëhet fjalë”, ka thënë Olsi Çutaj.
Ndërkohë, pas pak orësh banorët kanë treguar se kanë dëgjuar të shtëna armësh. Deri më tani kjo pjesë ka dy versione pasi disa janë shprehur se kanë dëgjuar të shtëna automatiku, ndërsa disa të tjerë thonë se kanë dëgjuar disa lloje të shtënash nga armë të ndryshme. Policia beson se ka pasur vetëm dy të shtëna automatiku dhe jo më shumë.
Ndryshe nga banorët, vëllai i Vilsonit, Olsi Çutaj, ka deklaruar në dëshminë e tij se “unë nuk kam dëgjuar krisma armësh pasi kam qenë në lokal, por jam shqetësuar, sepse vëllai dhe dy të tjerët u vonuan dhe kam lajmëruar policinë”, ka thënë ai.
Babai i Danjel Pepaj, shtetasi Rrok Pepaj, ka deklaruar në dëshminë e tij për policinë se djali i tij prej dy javësh nuk ndodhej fare në Shqipëri, sepse sipas tij kishte shkuar për të punuar në Malin e Zi.
Këtë pretendim e rrëzon poshtë vëllai i Vilsonit, Olsi Çutaj, i cili ka treguar se më tre tetor kanë qenë të katërt te lokali në Bajzë dhe më pas kanë shkuar drejt Vrithit, ndërsa Danjelin e kanë parë edhe banorë të tjerë.
Po sipas dëshmisë së banorëve, shtetasi Danjel Pepaj është parë me armë në fshatin Zagorë, një fshat rruga e të cilit lidhet në këmbë me pjesën malore ku kanë qenë tre shtetasit.
Brenda 12 orësh nga ngjarja policia dyshon se Danjel Pepaj është arratisur drejt shtetit fqinj të Malit të Zi.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, ndërsa vijojnë kërkimet nga familjarët dhe efektivët në gjithë zonën malore për gjetjen e trupave të Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj që mendohen si të vrarë.