MENU
klinika

Si do të procedohet?

Tërmeti/ Ndryshon skema e ndarjes së parave

01.10.2020 - 14:58

Bashkia e Tiranës ka vendosur të lërë jashtë skemës së përfitimit disa familje në Tiranë, banesat e të cilëve kanë pësuar dëme të riparueshme si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit të vitit që lamë pas.

Në mes të “lojës” kanë ndryshuar rregullat për ndarjen e pagesave për rikonstruksionet dhe rindërtimet, përmes një vendimi të miratuar një ditë më parë në Këshillin Bashkiak.

“Individi ose familja që ka në pronësi ose posedim të ligjshëm me shumë se një banesë, në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, pavarësisht nëse banesa që është dëmtuar nga fatkeqësia natyrore ka qenë vendbanim i zakonshëm, nuk është përfitues i programeve të procesit të rindërtimit”, citohet në relacionin shpjegues të vendimit të nisur për miratim në Këshill Bashkiak, i cili, nga ana tjetër, vendos “t’i japë një dorë” në rast se poseduesit e dy a më shumë banesave kanë pësuar dëme të gjitha.

“Në rast se banesat në pronësi ose në posedim janë dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, individi ose familja përfiton, sipas parashikimeve të këtij akti, vetëm për banesën që në datën e fatkeqësisë natyrore përdorej si vendbanim i zakonshëm”, detajohet nga ekspertët që kanë hartuar relacionin e projektvendimit.

Këtë, në fakt, e ka paralajmëruar kryebashkiaku Erion Veliaj pak javë përpara se vendimi të shkojë për miratim në Këshill Bashkiak. “Më rezulton se nga 11 mijë aplikime në Tiranë, rreth gjashtë mijë kanë mbaruar punë. Rreth një mijë kanë shtëpi të dyta dhe të treta, por kjo është një skemë solidariteti, një mënyrë për të ndihmuar ato që realisht nuk kanë mundësi. Një njeri që ka disa vila të deklaruara, nuk përfiton nga kjo. Këtu përfiton realisht ai që është hallexhi”.

DETAJET

Ndonëse parimisht “të kamurit” nuk përfitojnë nga fondet e shtetit, Bashkia e Tiranës e ka parë të arsyeshme të bëjë disa detajime, duke mos përjashtuar nga përfitimi i pagesës në rastet kur një familje blen një shtëpi të dytë me shtimin e anëtarëve të rinj. “Nëse pas verifikimit në sistem konstatohet se individi/familja ka në bashkëpronësi ose posedim të ligjshëm, më shumë se një banesë në territorin e Bashkisë Tiranë, e cila rezulton të ketë/kenë një sipërfaqe nën normat e strehimit … dhe pas kryerjes së përllogaritjeve konstatohet se në sipërfaqen e banesës/banesave të tjera nuk mund të banojnë dot individi/familja për shkak të mospërmbushjes së kësaj norme, familja nuk do të skualifikohet dhe aplikimi përkatës do të ndjekë procedurat e parashikuara në këtë udhëzues”.

Po ashtu, nëse në një banesë kanë jetuar dy familje, të dyja mund të përfitojnë, pasi ta dokumentojnë këtë fakt përmes një vërtetimi që lëshohet në njësinë administrative. Banesat me shtesa, nga ana tjetër, do të bëjnë vetëm një aplikim, pasi konsiderohen si një e vetme. Një tjetër ndryshim në skemë lidhet me ata që do të përfitojnë shtëpi të re, por vetëm pasi të kenë hequr dorë nga pronësia e banesës së mëparshme. Një deklaratë noteriale që dëshmon këtë do t’i bashkëngjitet kontratës përfundimtare për kalimin e banesave individuale në pronësi të përfituesve.