Komisioneri europian për zgjerimin, Oliver Varhelyi iu është drejtuar shqiptarëve me një mesazh nga foltorja e parlamentit menjëherë pas mbërritjes në Tiranë për një vizitë zyrtare pas prezantimit të Progres-Raportit.
Varhelyi premtoi se Komisioni Europian do qëndrojë pranë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do punojë fort që vendet e rajonit të jenë shtete anëtare të BE
“Më vutë në një pozitë të vështirë së pari sepse më dhatë një vend ku besoj se duhet të ulen monarkët dhe unë nuk jam i tillë. Është nder.”, tha Varhelyi.
Në fjalën përshëndetëse, Varhelyi vlerësoi punën me reformat në Drejtësi dhe atë Zgjedhore. Megjithatë ai tha se Reforma Zgjedhore është kushte për nisjen e konferencës së parë.
“Të gjitha institucionet duhet të punojnë me njëra-tjetrën për të bërë të mundur që Shqipëria të vijojë të ecë përpara. Jemi në një moment kyç, kur Shqipëria gjendet më pranë se kurrë BE-së dhe kontributi i të gjithëve është vendimtar. Ne jemi me ju, po punojmë me ju që të bëheni shtete anëtare të BE-së dhe të integruara në jetën tonë. Ballkani Perëndimor ka qenë përparësi për Komisionin dhe që nga dita e parë kemi qenë të angazhuar për të mbajtur premtimet për Ballkanin. Jemi të bindur se e ardhmja e rajonit është në BE. Shqipëria i ka ndjekur me vendosmëri përpjekjet për reforma, vendi ka bërë përparim vendimtar dhe është pranë përmbushjes së kushteve. Përgëzoj institucionet e vetting-ut. Kemi parë edhe një numër operacionesh të suksesshme ndërkombëtare. Inkurajoj palët që të mbajnë fokusin në reformat e domosdoshme”, shtoi Varhelyi.