Zbulimet e një prej fenomeneve më ekzotike në univers, vrimës së zezë, fituan çmimin “Nobel” të këtij viti, në fizikë, për një treshe shkencëtarësh, sikurse bën me dije Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.
Roger Penrose, lindur në Britani, do të marrë gjysmën e çmimit: 10 milion korona (1,1 milion dollarë), për zbulimin se ”formimi i vrimave të zeza është një parashikim i fuqishëm i teorisë së përgjithshme të relativitetit” – parimi i bërë i famshëm, nga Albert Ajnshtajni.
Gjysma tjetër, do të shkojë për Reinhard Genzel, lindur në Gjermani dhe shtetasen amerikane Andrea Ghez, gruaja e katërt që e fiton çmimin, për “zbulimin e një objekti kompakt supermasiv në qendër të galaktikës tonë”.
“Zbulimet e laureatëve të këtij viti, kanë hapur një terren të ri në studimin e objekteve kompakte dhe supermasive” – thuhet mes të tjerash, në deklaratën nga ana e akademisë.