Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se një nga qëllimet kryesore të Qeverisë së re serbe është të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe shtoi se Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi me Kosovën, por nuk do të pajtohet me poshtërim.
Presidenti serb, siç raportojnë mediat serbe, tha se në ditët e mëparshme në Nagorno Karabak, u pa se si në një ditë, pas 30 vjetësh “konflikti të ngrirë”, mund të shpërthejë lufta.
“Nuk duam që kjo të na ndodhë dhe të na befasojë, jo është arsyeja pse ne do ta ruajmë paqen. Prandaj nuk angazhohemi për një konflikt të ngrirë, por duam një zgjidhje kompromisi dhe të këmbëngulim në procesin që zhvillohet nën përkujdesjen BE-së”, tha Vuçiç në një konferencë shtypi, pasi sot e nominoi Ana Brnabiqin mandatare për formimin e Qeverisë së re të Serbisë, transmeton Telegrafi.
Ai shtoi se Serbia, në dialog me Kosovën, dëshiron një zgjidhje kompromisi, por që nuk do të pajtohet me poshtërime dhe parimin e “asgjë për të gjithçka”.
“Obligimi ynë është që, duke u përballur me sfidat, kurse presionet më të mëdhatë janë rreth Kosovës dhe përpjekja për të detyruar Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës, e për këtë të mos marrë pothuajse asgjë, me dëshirën tonë që gjithmonë të shprehim qëllimin tonë për të biseduar dhe për të arritur një zgjidhje kompromisi. Sigurisht nuk e pranojmë poshtërimin e qytetarëve të Serbisë, dhe qytetarëve tanë në Kosovë”, tha Vuçiç.