Presidenti Ilir Meta tha në një intervistë televizive se marrëveshja e 5 qershorit është shkelur për çdo njeri që i ka sytë në ballë.
Meta u shpreh se rregullat e lojës u shkelën në mënyrë të njëanshme dhe kjo nuk është më demokraci, por ftesë për diktaturë, kthim pas në kohën kur varej Havzi Nela.
“Është një përpjekje e qëllimshme për ta nxjerrë përfundimisht Shqipërinë nga rruga europiane”, tha Meta. Sipas tij me këto ndryshime është minuar procesi zgjedhor i lirë dhe i ndershëm.
“Për 1 mijë banorë nga Shqipëria ikin 12 të rinj, ndërsa nga Serbia ikën 1”, u shpreh Meta, duke shtuar se kjo tregon situatën në terren në vendin tonë. Sipas Presidentit, kjo tregon se nuk ka investime të huaja, nuk ka vende të reja pune, nuk ka besim te shteti ligjor, nuk ka institucione.
“Nuk kemi ku të shkojmë më keq, ka një përkeqësim të situatës. Ku ka krizë më të madhe se politikanët nënshkruajnë një marrëveshje dhe atë e shkelin. Tashmë arbitër është populli shqiptar, nuk janë ambasadorët. Marrëveshja e 5 qershorit u shkel me të dyja këmbët, kush nuk e shikon këtë ka hallin e tyre”, tha Meta.