MENU
klinika

Shkrimtarja e fëmijëve

“Jo ‘mea culpa’ për diktaturën. Vogëlushët duan origjinalitet”

04.11.2020 - 10:23

    Moj këpucë

Moj këpucë budallaqe,
pse u zgjidhe përsëri?
Nuk e sheh? M’u skuqën faqet:
të të lidh akoma s’di.

Moj këpucë, moj këpucë,
tekanjoze, nuk merr vesh?
Ç’më je futur mu në llucë,
gojë hapur me përqesh?

Po këpuca (çfarë këpuce!)
thotë: gjyshen mos e thirr
lidhmë vetë të mos skuqesh,
Si mendoni, thotë mirë?

       Në moshën 81-vjeçare, me një pamje të paqtë dhe ligjërim të urtë, Adelina Mamaqi, shkrimtare dhe poete prej vitit 1963, vijon të shkruajë e të promovojë letërsi për fëmijë.


Në një takim me drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit, Alda Bardhyli, që ka nisur bashkëpunimet me autorët e traditës, Mamaqi, vuri theksin te nevoja e mesazheve për të edukuar të vegjlit. Ajo u ndal te zbehja e rolit të redaktorit dhe mangësitë e librave shkollorë, që shpesh heqin emrat e autorëve.

“T’I KTHEJMË SYTË NGA LETËRSIA JONË PËR FËMIJË”

Hapat e parë të vogëlushëve si lexues, duhet të nisin, sipas Mamaqit, me klasikët dhe letërsinë vendase për fëmijë. “Unë deri në vitet e fundit para se të ikja në emigracion kam mbajtur te koka dy shkrimtarë: Andersenin dhe poetin lirik rus, Eseninin. Pra, klasikët janë të nevojshëm, por unë do të sugjeroja pikësëpari të kthenim sytë te letërsia jonë për fëmijë. Për fat të keq, disa shtëpi botuese i marrin librat të gatshme dhe i përkthejnë. Sigurisht që edhe ilustrimet janë gati dhe ato vizualisht duken bukur, por ndër to ka edhe libra që nuk kanë asnjë vlerë. Pra, edhe sa i përket leximit, jam e idesë që duhet njohur fillimisht ‘familja jote’, duke iu përmbajtur parimit të psikologjisë se njohja fillon nga e afërta”.

Po ashtu sipas saj, duhet treguar kujdes dhe sa i përket trajtimit të poezive të botuara në tekstet shkollore për fëmijë, ku shpesh bëhen ndërhyrje dhe hiqen edhe emrat e autorëve.

 

A DUHET TË RIKTHEHEN “AUTORËT E VJETËR” DHE SA PREMTOJNË TË RINJTË?

Autore e librave për fëmijë në dy kohët, para dhe pas viteve ’90, Mamaqi thotë se çdo botim duhet t’i përshtatet kohës, por titujt e hershëm nuk duhen lënë në harresë. “Unë shikoj të nevojshme nga Ministria e Kulturës të vlerësojë vlerat. Jo të gjithë librat që janë botuar asokohe, janë të përshtatshëm për periudhën në të cilën jetojmë, pasi brezat evoluojnë. Unë kam ribotuar 3-4 libra të mitë të hershëm, por i kam rishkruar ata, duke i konceptuar në ditët tona. Ndaj, jam e mendimit që librat me vlerë të ribotohen, por duke u ripunuar”. Shprehet e keqardhur që autorët për fëmijë, po hyjnë pak në letërsinë tonë, edhe pse ka disa emra që e bëjnë entuziaste. “Veçoj Rovena Rrozhanin, që është shumë premtuese. Dua të theksoj se talentet e reja duhen evidentuar dhe ndihmuar. Për shembull, Gaqo Bushaka kur solli në shtëpinë botuese ku punoja dorëshkrimin “Te stani në mal”, kryeredaktorja nuk donte t’ia botonte. Ndërsa unë insistova, i thashë: Ka shkëndijë! Unë do t’ia ripunoj dhe do ta botojmë dhe kështu ndodhi. Bushaka më është shumë mirënjohës dhe më thotë shpesh: Nuk e harroj që unë vija nga provinca dhe ti më dhe shtysë. Kështu kam bërë dhe me të tjerë autorë”, tregon Mamaqi.

POEZITË, “PASAPORTË” NË DIKTATURË

E pranon se në atë kohë duheshin bërë edhe kompromise për të mbijetuar si krijues. Poezitë e shkruara për partinë i quan si “pasaportë” për krijimtarinë e saj dhe ndalet te një episod i veçantë. “Ishte viti 1985 kur më mori në telefon sekretari i rinisë së Komitetit Qendror dhe më tha: Duhet të shkruash një poezi për vdekjen e shokut Enver. Natyrisht që unë u detyrova të shkruaj, pasi shkruaja në revistë. Mirëpo, pavarësisht kësaj, mua më kanë thirrur disa herë në Lidhjen e Shkrimtarëve, kur u bëra pjesë e saj dhe më kërkuan disa herë që të bëhesha anëtare partie, por nuk pranova. Nuk di të them me siguri matematike se çfarë do të ndodhte po të kisha pranuar, por me shumë gjasa që do isha dënuar”.

Njëherësh iu përgjigj interesit për poezitë e paraviteve ’90, mbi “Enverin e Partinë”, që kanë hapur debat. Mamaqi tha, se “poezitë për partinë, ishin të detyrueshme. Nuk ka arsye për ‘mea culpa’, nuk ishte me dëshirë”.

Shkrimtarja e njohur dhe e shumë e dashur për shumë breza, autore e dhjetëra librave për fëmijë, rrëfen një ndodhi personale. “Kur u arrestua kushëriri im, kolegët deshën të më hiqnin të drejtën e botimit”.

Debati për letërsinë e paraviteve 90-të, u hap nga Lisandri Kola, gjatë procesit të përzgjedhjes së poetit laureat.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Frankfurt-ide që lëvizin botën

Kosova në panairin më të madh të librit


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit