Dy kamionçina që transportonin lëndë drusore të prera në mënyrë të paligjshme janë bllokuar në autostradën Milot-Morinë, në pjesën e qarkut të Lezhës.
Kamionçinat janë ndaluar në Skuraj teksa dy shoferët e tyre janë shoqëruar menjëherë në komisariat duke u proceduar penalisht.
Shoferët S.G, 50 vjeç dhe K.M, 39 vjeç tashëmë do të hetohen nga Prokuroria për aktivitetin e tyre të paligjshëm.
STATUSI NGA POLICIA
Kurbin, Lezhë
Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.
Bllokohen nga Njësia Operacionale e Autostradës Milot-Morinë, dy automjete që transportonin lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.
Procedohen penalisht dy drejtuesit e mjeteve që po transportonin lëndën drusore.
Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy shtetas transportonin lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës, shërbimet e Njësisë Operacionale për Autostradën kanë konstatuar dhe ndaluar në Skuraj, dy mjete kamionçinë tip “Benz” dhe “Mitsubishi” me lëndë drusore.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesit e kamionçinave, shtetasit S. G. dhe K. M. ishin duke transportuar lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme, pa dokumentacionin përkatës.
Shtetasit S. G., 50 vjeç dhe K. M., 39 vjeç janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kurbin dhe në përfundim të veprimeve janë proceduar penalisht nga specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.