MENU
klinika

Efektet e COVID-19

Cilat janë qarqet më të goditura për numrin e viktimave?

23.11.2020 - 07:47

Shkodra dhe Lezha rezultojnë qarqet që kanë pasur rritjen më të lartë të jetëve të humbura në raport me popullsinë përkatëse në tremujorin e tretë të këtij viti, në krahasim me korrik-shtator 2019. Pas tyre renditen Korça, Durrësi dhe Tirana.

Të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar mbi statistikat e INSTAT për vdekjet në tremujorin e tretë dhe popullsinë sipas qarqeve tregojnë se rritjen më të lartë të jetëve të humbura në vend në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë e kishte Shkodra me një shtesë prej 8.4 vdekjesh për 10 mijë banorë. Në këtë qark, në tremujorin e tretë u raportuan 577 vdekje gjithsej, me një rritje prej 41%, ose 169 vdekje më shumë se korrik-shtator.

E dyta, sipas të njëjtës llogaritje është Lezha (me një shtesë prej 7.8 për 10 mijë banorë), që ka parë një rritje të vdekjeve me 46% në krahasim me tremujorin e tretë 2019.

Për Korçën, që renditet e treta me rritjen më të lartë të vdekjeve në raport me ky tregues është 6.

Pas Korçës renditet Durrësi (5.2). Në këtë qark, vdekjet janë rritur me 35%, ose 151 persona kanë humbur jetën më shumë në korrik-shtator të këtij viti, në krahasim me tremujorin e një viti më parë.

Qarku i Tiranës, më i madhi në vend ndonëse ka rritjen më të lartë të numrit më të lartë të jetëve të humbura (me 460 persona më shumë), nëse krahasohet në raport me popullsinë, është i pesti, me tregues 5.1.

Rritjen më të ulët të vdekjeve në raport me popullsinë e kanë Berati, Dibra, Fieri dhe në fund të listës janë Kukësi dhe Vlora. (shiko grafikun: Vdekjet në tremujorin e tretë për 10 mijë banorë dhe shtesa në 2020).

Të 12 qarqet në vend kanë shënuar rritje të jetëve të humbura në tremujorin e tretë 2020, që përkon me periudhën kur vala e infeksionit të Covid-19 filloi të bëhej agresive.

Rritja e vdekjeve vlerësohet nga pasojat e Covid-19

Të dhënat e INSTAT treguan se në periudhën korrik-shtator u shënuan gjithsej në vend 6,294 vdekje, me një rritje prej 25.7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 1,288 vdekje më shumë, duke arritur nivelin më të lartë rekord të dekadës së fundit. (Grafiku: Numri i vdekjeve, T III)

Në krahasim me mesataren historike të pesë viteve të fundit (periudhës 2015-2019) prej 5,005 personash po të tremujorit të tretë ka një rritje 26% mbi mesataren historike 5-vjeçare (1,289 persona më shumë).

Zyrtarisht deri më 30 shtator, numri i vdekjeve zyrtare të raportuara nga Covid-19 ishte rreth 400, ose tre herë më e ulët se shtesa e vdekjeve në të njëjtën periudhë.

Alban Ylli, eksperti i Institutit të Shëndetit Publik ka pohuar më herët për Monitor se “Për tremujorin e tretë, arsyeja kryesore e rritjes së vdekjeve është Covid. Tipike si në gjithë vendet e tjera”. “Është një fenomen mbarëbotëror”, pohon ai. “Nga Italia në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga ShBA në Indonezi, në momentet e valëve të Covid ka pasur vdekje të shtuara, kryesisht të moshuarit, që vdesin në shtëpi dhe të raportuar me shkaqe të tjera (si p.sh., qarkullimi i gjakut etj.)”. Ylli shton se kalkulimi preciz i vdekjeve të shtuara do të bëhet vetëm kur ata të kenë të dhënat e sakta javore.

Në raportimet zyrtare jepen vetëm vdekjet në spitale, që ishin të konfirmuar me tampon, ndërkohë që ka të tjerë, që edhe pse mund të kenë humbur jetën nga Covid-19, nuk janë të raportuar të tillë, pasi nuk kishin konfirmin me tampon. Ka dhe shumë raste të vdekjeve në Turqi, apo të tjerë që kanë humbur jetën në shtëpi, apo që Covid-19 u ka dëmtuar organizmin dhe kanë pasur arsye të dukshme sëmundjen e qarkullimit të gjakut (zemra apo tensioni p.sh).

Një vit më parë, në 2019-n, vdekjet në total u rritën me 133 humbje jete gjithsej. Deri tani, viti më vdekjeprurës, në dekadën e fundit ishte 2015-a, me 1762 vdekje më shumë. Por, 2020-a pritet ta kalojë këtë rekord, siç tregoi dhe tendenca e 9 mujorit, teksa Covid-19 është akoma në kulmin e tij.

Shtesa e vdekjeve në qarqe, rreth 2-4 herë më e lartë se ato të raportuara nga Covid-19

Deri në fund të shtatorit, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë kishte gjithsej 388 humbje jete nga Covid-19. (Qarku Tiranë 184, Durrës 46, Shkodër 41, Elbasan 27, Fier 22, Korçë 19, Lezhë 16, Kukës 11, Dibër 8, Vlorë 8, Gjirokastër 4, Berat 2).

Nga krahasimi i të dhënave zyrtare të INSTAT, në Shkodër psh, shtesa e vdekjeve (169) është katër herë më e lartë se ato të raportuara nga Covid-19 (41).

Në Tiranë, shtesa e vdekjeve është 2.5 herë më e lartë se e raportuar nga Covid-19, në Durrës 3.3 herë më e lartë, në Korçë 6 herë, në Gjirokastër 6 herë. Dy qarqet që rezultojnë më pak të prekura nga pasojat fatale të Covid-19 janë Vlora dhe Kukësi, ku shtesa e jetëve të humbura ka qenë minimale dhe pa diferencë të larta nga vdekjet e raportuara nga Covid-19. (Shiko tabelën në fund: “Numri i vdekjeve, tremujori i tretë”.)

Gjirokastra mbetet qarku me vdekjet më të larta

Gjirokastra ka vijuar që të jetë qarku me vdekjet më të larta në vend në raport me popullsinë edhe në tremujorin e tretë, me 34 vdekje për 100 mijë banorë. Kjo vdekshmëri e lartë e Gjirokastrës, sipas mjekëve shpjegohet nga plakja e shpejtë e popullsisë së qarkut jugor, rrjedhojë e emigracionit të lartë.

Në vend të dytë ka kaluar Shkodra, e cila një vit më parë ishte e katërta, si rrjedhojë e humbjeve të larta të jetës në tremujorin e tretë, që mjekët i lidhin jo vetëm me Covid-19, por edhe me plakjen e popullsisë së këtij qarku dhe sëmundjet shoqëruese. Shkodra në fakt, rezulton dhe qyteti i tretë sa i takon rasteve totale me Covid-19, pas Tiranës dhe Durrësit, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.

Korça që ishte e dyta, ka zbritur në vend të tretë.

Një ngjitje të fortë në renditjen e qarqeve sipas vdekshmërisë në raport me popullsinë ka shënuar Lezha, që ka kaluar e katërta, nga e 10-a që ishte në periudhën normale të një viti më parë.

Pavarësisht se kanë qenë më të goditurat nga Covid-19, Tirana dhe Durrësi mbeten dy qarqet që në total kishin numrin më të ulët të vdekjeve në raport me popullsinë (përkatësisht 19 dhe 20). Të dy këto qarqe janë të vetmet që kanë parë rritje të popullsisë edhe në 2020-n, sipas INSTAT, për shkak të migracionit të lartë që orientohet drejt qendrës dhe kanë një moshë mesatare më të re. Ndërkohë, të gjitha qarqet e tjera në 2020-n shënuan ulje të popullsisë, e ndikuar kryesisht nga migrimi i brendshëm dhe emigracioni./O.Liperi

Donte të vriste prindërit e tij të moshuar

Emri/ Arrestohet 42-vjeçari në Fier

Mjeku: Të hiqet fostoksina, nuk ka kundërhelm

Depresioni vret në Fier! Pesë vetëvrasje në dy javë

Cili është qarku më i rrezikuar

Cikloni mesdhetar, prek Shqipërinë!

"Hapi dyert me kushte dinjitoze për 850 nxënës dhe mësues"

Kryeministri publikon pamjet e shkollës “Naim Frashëri” në Fier

E pëson keq administratori i biznesit

Shpërthimet në gurore dëmtojnë banesat në Pashall