MENU
klinika

ANALIZA

Covid-19, cilët duhet të vaksinohen të parët?

26.11.2020 - 16:14

Nga Jill Neimark, Mit Technology review

Nëse libri i natyrës është shkruar në gjuhën e matematikës, siç deklaroi dikur Galileo, pandemia Covid-19 ka zbuluar realitetin për matematikanët e botës, të cilët kanë qenë shumë aktivë që nga përhapja e shpejtë e koronavirusit.

Deri më tani gjatë, ata janë përfshirë në gjithçka, nga zbulimi sesa infektues është koronavirusi i ri, sa larg duhet të qëndrojmë nga njëri-tjetri, për sa kohë një person i infektuar mund të transmetojë virusin tek dikush tjetër, si një lloj i vetëm virusi u përhap nga Europa në SHBA, dhe si të“rrafshohet kurba” për të shpëtuar qindra mijëra jetë.

Për momentin, shumë prej tyre janë duke u marrë me një fushë kërkimore veçanërisht urgjente:modelimin e shpërndarjes së vaksinës. Duke qenë se  dozat e vaksinave anti-Covid në fillim do të jenë të kufizuara, vendimet se kush do i marrë dozat e para, mund të shpëtojnë dhjetëra mijëra jetë.

Por të kuptosh sesi duhen shpërndarë vaksinat tek grupet e duhura dhe në kohën e duhur,është “një problem shumë kompleks”, thotë Eva Li, drejtoreshë e Qendrës për Kërkime Operacionale në Mjekësi dhe Kujdesin Shëndetësor në Institutin e Teknologjisë në Georgia.

Li ka modeluar strategjitë e shpërndarjes për vaksinat kundër Zikas, Ebolës dhe gripit, dhe tani po punon për shpërndarjen e vaksinave kundër Covid-19.

“Koronavirusi është shumë më infektues dhe më vdekjeprurës se sa gripi. Ne nuk jemi sfiduar kurrë më parë në këtë formë nga një virus”- thotë ajo. Hauard Forman, profesor i shëndetit publik në Universitetin e Jeilit, thotë se hera e fundit që bëmë vaksinimin masiv me vaksina krejtësisht të reja, ishte ndaj sëmundjeve të lisë dhe poliomelitit.

“Po shkelim në një terren të panjohur. Të gjitha vaksinat e tjera të dekadave të fundit ose janë testuar për vite me radhë, ose janë futur në përdorim shumë vonë”- deklaron ai.

Për shkak se Covid-19 është veçanërisht vdekjeprurës për ata që janë mbi 65 vjeç, dhe ata që kanë probleme të tjera shëndetësore si mbipesha, diabeti ose astma, duhet të kenë prioritet, transmeton abcnews.al

Por nga ana tjetër, fakti që ai është përhapur me shpejtësi dhe gjerësisht nga të rriturit e shëndetshëm në moshë të re, dhe që kanë më shumë gjasa të shërohen, ka bërë që matematikanët  të përballen me dy prioritete  me njëra-tjetrën gjatë modelimit të shpërndarjes së vaksinave anti-Covid.

A duhet të parandalojmë më parë vdekjet apo transmetimin e ngadaltë?

Konsensusi në mesin e shumicës së modeluesve, është që nëse qëllimi kryesor është ulja e nivelit  të vdekshmërisë, zyrtarët duhet t’i japin përparësi vaksinimit të atyre që janë më të moshuar, dhe nëse duan të ngadalësojnë transmetimin e virusit, ata duhet të synojnë më të rinjtë.

“Pavarësisht se çfarë mund të bësh, do të kesh të njëjtën përgjigje. Në fillim do vaksinosh të moshuarit për të parandaluar vdekjet, dhe pastaj do kalohet tek grupe e tjera, më të shëndetshme ose në popullatën e përgjithshme”-ka deklaruar epidemiologu i Universitetit të Harvardit Mark Lipsit.

Një studim i fundit,ndërtoi një model se si Covid-19 ka të ngjarë të përhapet në 6 vende – SHBA, Indi, Spanjë, Zimbabve, Brazil dhe Belgjikë  dhe arriti në përfundimin se nëse synimi kryesor është ulja e shkallës së vdekshmërisë, të rriturit mbi 60 vjeç duhet të kenë përparësi për vaksinimin.

Shumica e modeluesve kanë rënë dakort se “gjithçka që dimë mbi koronavirusin po ndryshon me shpejtësinë e dritës”, siç shprehet  Laura Matrajt, bashkëpunëtore kërkimore në Qendrën Kërkimore të Kancerit “Fred Hutchinson”.

Deri më tani, studimi ka sjellë disa rezultate të habitshme. Për shembull, ndërsa fëmijët kanë zakonisht përparësi për vaksinat e gripit, ekspertët thonë se ata duhet të kenë një prioritet më të ulët për vaksinat Covid-19, pasi deri më tani nuk kanë qenë përhapësit kryesorë të virusit.

Për të modeluar shpërndarjen e vaksinave, matematikanët duhet të ndërtojnë formula që pasqyrojnë stilin e jetës njerëzore dhe ndërveprimet tona komplekse, duke përdorur të dhëna si strehimi dhe statusi socio-ekonomik, zakonet e përditshme, mosha dhe rreziqet shëndetësore.

Por së pari ata duhet të përcaktojnë se sa ngjitës  dhe infektues është virusi. Kjo përfaqëson numrin e njerëzve, tek të cilët një person i infektuar mund të transmetojë infeksionin. Modelimi ka edhe sfida të panumërta praktike. Për shembull disa nga vaksinat janë në 2 doza, apo duhen ruajtur në temperatura shumë të ulëta.

Ekziston gjithashtu problemi i efikasitetit të vaksinës.

A do të sigurojë një vaksinë e caktuar një imunitet të fortë, dhe tek të gjitha grupet? Apo vetëm do të ulë kohëzgjatjen e infeksionit dhe do të zvogëlojë simptomat, gjë që sërish do të ishte me vlerë të madhe në uljen e vdekshmërisë si dhe transmetimit?

Së fundmi, ekziston edhe pyetja më shqetësuese se sa mund të zgjasë imuniteti pas infektimit.

Të gjitha këto zbulime janë të rëndësishme sepse në fund të ditës, ne kurrë nuk do ta dimë nëse do të kemi vaksina të mjaftueshme për të gjithë popullsinë.

Në fakt, Organizata Botërore e Shëndetësisë kohët e fundit parashikoi që të rinjtë e shëndetshëm madje nuk mund të jenë në gjendje të vaksinohen deri në vitin 2022, pasi të moshuarit, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe grupet e tjera me rrezik të lartë janë të parët që do të vaksinohen.

Pa asnjë vaksinë, rreth 179,000 njerëz mund të vdesin në gjashtë muajt e parë të 2021, thotë Springborn. Modeli i ekipit të tij sugjeron që numri i viktimave mund të ulet në rreth 88,000 nëse fillimisht vaksinohet 10% e  popullsisë çdo muaj, dhe shpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme pa i dhënë përparësi asnjë grupi.

Por shpërndarja e vaksinave në mënyrë të saktë, bazuar në moshën e njerëzve mund të shpëtojë 7,000 deri në 37,000 jetë. (abcnews)