MENU
klinika

Për ndeshjet e nëntorit

Del pozitiv, Kombëtarja humb një tjetër lojtar

03.11.2020 - 13:16

Kombëtarja shqiptare humbet një tjetër lojtar në prag të ndeshjeve të nëntorit. Florian Kamberi rezultoi pozitiv nga koronavirusi në testet e kryera një ditë më parë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi i St.Gallen ku militon sulmuesi shqiptar.

Lojtari tregoi simptoma të lehta të sëmundjes të hënën në mëngjes dhe klubi e testoi menjëherë, ndërsa sot u dha përgjigja, që ishte pozitive. Kamberi është në izolim dhe nuk ka pasur asnjë kontakt me ekipin që nga e diela në mbrëmje. Ai ndihet mirë.

Si masë sigurie, trajnimi të hënën në mëngjes u anulua si një masë paraprake dhe i gjithë ekipi i parë duke përfshirë stafin gjithashtu u testua. Të gjitha testet e tjera ishin negative. Florian Kamberi luajti të dielën në ndeshjen në shtëpi të Raiffeisen Super League kundër Basel, ai u zëvendësua në minutën e 68-të. Liga Zvicerane e Futbollit dhe Basel janë informuar për rezultatin pozitiv të testit.

Kamberi nuk po arrin të debutojë me Kombëtaren shqiptare. Ai u thirr për herë të parë në tetorin e vitit të kaluar, por si pasojë e dokumentacionit, nuk arriti të grumbullohet për ndeshje. Në nëntorin e vitit 2019 u dëmtua. Marsi 2020 shihej si momenti i tij, por për fatin e keq, ndeshjet u anuluan.

Në shtator dhe tetor, për shkak të situatës, klubi nuk e lejoi Kamberin të udhëtonte në Shqipëri, kjo edhe për faktin se pas rikthimit në Zvicër do të duhej të bënte 14 ditë karantinë. Dhe tashmë vjen edhe infektimi, duke e lënë minimalisht dy javë të izoluar, që do të thotë se humb ftesën e radhës për në ekipin kombëtar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN