MENU
klinika

Ndërhyrja me sukses

Diego Maradona operohet në kokë

04.11.2020 - 12:11

Katër ditë më parë Diego Armando Maradona u shtrua me urgjencë në spital dhe u duk sikur ishte dicka pa komplikacione. Por legjenda e futbollit iu nënshtrua një operacioni në kokë mbrëmjen e djeshme, pasi kishte pësuar një mpiksje gjatë një goditjeje që kishte marrë disa ditë më parë.

Lajmi i mirë është se gjithçka shkoi me sukses. Zëdhënësi i Maradonës, Sebastian Sanchi, deklaroi se operacioni shkoi shumë mirë. Thjesht do t’i duhen pak ditë për të rimarrë veten dhe për t’iu rikthyer normalitetit.

“Ndërhyrja kirurgjikale zgjati rreth 80 minuta dhe gjithçka shkoi shumë mirë, duke hequr pjesën e mpiksjes në krahun e majtë të kokës. Diego e përballoi mirë operacionin, ndonëse do të vijojë të qëndrojë nën mbikëqyrjen e mjekëve edhe për disa ditë” – u shpreh Sanchi.

Maradona festoi të premten 60-vjetorin e lindjes, teksa u ul në pankinë për ndeshjen mes Gimnasia La Plata-s dhe Patronatos, por u largua në fundin e pjesës së parë, pasi nuk ndjehej mirë.

Të shtunën “El Pibe D’Oro” u shtrua në një klinikë private në La Plata, fillimisht me dyshimet se po kalonte një gjendje të rënduar psikologjike, po ekzaminimet mjekësore konfirmuan se bëhej fjalë për një mpiksje gjaku në kokë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN