Një rast i çuditshëm në Australi ka shtangur studiuesit e mjekësisë, pasi fëmijët e prindërve të prekur nga Covid-19 pozitivë zhvilluan antitrupa jashtëzakonisht të efektshëm pa qenë testuar asnjëherë pozitiv për vetë virusin.
Në një studim të botuar të martën në revistën mjekësore ‘Nature Communications’, studiuesit sollën si shembull një familje me pesë anëtarë, në të cilën të dy prindërit u prekën nga Covid-19 pasi morën pjesë në një martesë pa fëmijët e tyre në muajin mars.
Përafërsisht një javë pas kthimit, nëna dhe babai zhvilluan simptoma të tilla si kollë, hundë e zënë, ethe dhe dhimbje koke.
E gjithë familja u testua për virusin, por vetëm prindërit u testuan pozitivisht, pavarësisht nga afërsia e vazhdueshme me fëmijët e tyre, të gjithë dolën negativë.
“Është mahnitëse sepse fëmijët kishin kaluar një javë e gjysmë me ne, ndërsa ishim pozitivë me Covid.” – tha nëna Leila Sawenko.
Të dy djemtë, nëntë dhe shtatë vjeç, filluan të shfaqnin simptoma të lehta si rrufë dhe e gjithë familja u testua përsëri. Edhe një herë, testet e fëmijëve përsëri dolën negativë.
Fëmija më i vogël, një vajzë pesë-vjeçare, mbeti tërësisht asimptomatike gjatë gjithë ngjarjes, pavarësisht nga kontakti i vazhdueshëm i ngushtë me prindërit, përfshirë gjumin në të njëjtin shtrat.