Në fund të një beteje disaditore fitoi sërish komisioneri Adam Silver. Mungon vetëm zyrtarizimi, por sezoni i ri sportiv 2020-2021 në NBA do të nisë më 22 dhjetor ashtu sikurse Silver kishte kërkuar.
Drejtuesit e NBA, pas një negocimi të gjatë me Shoqatën e Lojtarëve dhe pronarët e skuadrave, ranë dakord që kampionati të nisë para Krishtlindjeve, duke hedhur poshtë idenë që sezoni të niste më 18 janar. Sezoni i rregullt do të ketë më pak ndeshje, 72 për çdo skuadër dhe do të ulen me 25% udhëtimet nga njëri shtet në tjetrin.
Do të shtohet numri i ndeshjeve të njëpasnjëshme, 14 të tilla për çdo ekip, pra 2 ndeshje në 48 orë. Sipas planit të ri, sezoni i rregullt do të përfundojë më 16 maj 2021, ndërsa finalet play off do të përfundojnë brenda 22 korrikut. Pra, një ditë para fillimit të Lojërave Olimpike, çka u jep mundësi lojtarëve më të mirë të shkojnë në Olimpiadën e Tokyos.
Për momentin ende nuk ka një plan si ai i verës, teksa skuadrat u mblodhën në Orlando dhe mbyllën sezonin. Aktualisht në diskutim është vetëm pezullimi i All Star Game që zhvillohet në mesin e muajit shkurt, në mënyrë që t’u jepet mundësi basketbollistëve të bëjnë një pushim një javor. Organizatorët do të monitorojnë përhapjen e pandemisë dhe pastaj do marrin vendime