Tjetri ma kthehu aty për aty: “Po kush tjetër veç Edramdullah pashës dora vetë nga fisi i Ramallarëve!”. Shtanga në vend: Në shkollë më kishin mësuar që Arnautistani ynë kishte pasur vetëm dy pashallëqe, atë Shkodrës, nën sundimin e Bushatlinjve, që përfshinte disa sanxhakë të Shqipërisë Veriore, Qendrore e Lindore, dhe atë të Janinës, nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës, që përfshinte disa sanxhakë të Shqipërisë së Jugut. Befas, dëgjova zërin e bashkëbiseduesit tim: “Veç kujdes, mor zotni, ruhu prej qehallarve ttij, se tfusin noi gjob trond’ për i fjal goje ose ta morrin shpin për t’hap noi rrug’ apo për tnërtu noi kull’ mo tnol se xhamia!” dhe u largua duke vështruar majtas e djathtas, a thua se kishte frikë se mos e dëgjonte dikush.
Befas, u zgjova dhe në çast u ftillova duke e kuptuar që e tëra kjo kishte qenë një ëndërr nën ndikimin e realitetit të hidhur e zhgënjyes në Shqipërinë e sotme social-feudale të drejtuar gati si në mesjetë nga një kryeministër pashallesk mjeshtër të batutës, por alergjik ndaj të arsyetuarit të shëndetshëm. Gjithsesi, pasi gogësita nja dy a tri herë, ndjeva që po më rëndonin qepallat, prandaj u ktheva nga ana tjetër duke zhytur kokën në jastëk. Dhe ja ku dëgjova trokthin e një kali pikërisht kur dita sapo kishte zbardhur dhe sytë më zunë një kalorës me një maskë gjak të kuqe që zbriti nga kali dhe, pa më vënë re, iu afrua një ulliri shekullor, uli shallvaret dhe nisi… po, po, nisi të… të urinonte në qejf të vet. Në atë moment, shkepëtinë rrezet e para të diellit dhe ai, pasi përfundoi me sukses të plotë procesin krijues të urinimit në dobi të ullirit shekullor, shkundi aletin e ngriti pantallonat, nxori e vuri një palë syze të errëta dhe iu drejtua diellit me këto fjalë: “Unë jam Edramdullah pasha nga fisi i Ramallarëve, por njëkohësisht edhe Luigji XIV, pra, mbreti Diell!
Shteti jam unë dhe pas meje u bëftë kiameti!”. Mandej heshti, mori frymë thellë dhe vazhdoi: “Këtë e pranon edhe miku im osman Erdogsulltani, që ka aq besim tek aftësitë e mia si burrë shteti, saqë po më lutet t’i dërgoj disa tabore me jeniçerë arnautë në Azerbaixhan, vend i cili po lufton në Nagorni Karabak me Armeninë. Si shpërblim për këtë ndihmë vëllazërore, ai do të më mbështesë në luftën time kundër imoralitetit në mënyrë që të mos hapet asnjë shtëpi publike në pashallëkun tim të moralshëm, por të lejohen nënshtetasit e mi të kenë secili nga një harem të vogël jo vetëm në shtëpi, por edhe në punë; falë ndihmës së tij gjithashtu, qendra e Surrelit do të ndërrojë basyret duke u bërë vend i shenjtë pelegrinazhi për gjithë haremlinjtë jo vetëm të Ballkanit e të Europës, por edhe të Amerikës, Azisë e Australisë! Kurse për sa u takon kundërshtarëve të mi në vendin e bekuar të Arnautistanit, të cilët janë kundër besës që jam duke i dhënë falas knjaz Vuçiçit në veri, si edhe kundër vendimit tim për t’i falur një llokmë nga deti ynë qirje Micotaqisit në jug, unë u them atyre se të dy këto veprime janë i pari në të mirë të Kosovës i dyti në të mirë të minoritetit grek në trojet tona, pra, në të mirë të Europës dhe të krejt njerëzimit”.
Sidoqoftë, ajo çka mbaj mend andej nga fundi i kësaj ëndrre sa surrealiste aq edhe domethënëse, është shëtitja e Edramdullah pashës, Ali pashë Tepelenës, Erdogsulltanit, Musolinit, Hitlerit, Frankos, Stalinit, Polpotit, Mao Ce Dunit dhe Enverit në krah të njëri-tjetrit përgjatë shëtitores së pashallëkut të Surrelit, pronë e përjetshme e familjes së njohur të Ramallarëve që nga koha e pellazgëve mavi!