MENU
klinika

Shifra të pabesueshme

Ibra dhe CR7, “pleqtë” e Serie A që dominojnë

02.11.2020 - 17:45

Milan udhëheq renditjen e Serisë A pas fitores 2-1 në Udine. Ekipi i Stefano Piolit po shkon përtej parashikimeve. Kjo ndodh kur ke një Zlatan Ibrahimovic vendimtar. Edhe kundër Udinese-s ishte suedezi ai që e mori ekipin mbi supe.

Së pari me asistin për Kessie, pastaj me shpikjen e golit për suksesin vendimtar. Tri pikë të tjera dhe Milani tashmë ka 10 fitore në 11 ndeshje të luajtura këtë sezon. E gjithë vëmendja është tek Ibrahimovic. Vetëm në tre raste, në epokën e tri pikëve për ndeshje nga 1994-1995, një lojtar i Milanit ka shënuar në gjashtë ndeshje radhazi të Serie A: Andriy Shevchenko më 2001.

Edhe vetë Zlatan Ibrahimovic e ka bërë këtë para finishit të sezonit të kaluar, gjithashtu më 2012. Edhe sot, kur po shkon drejt të 40-tave, ai mbetet një lojtar pa limit, që përhap pjekuri te shokët e tij të skuadrës. Që nga kthimi në Milano, janarin e kaluar, Zlatan Ibrahimovic ka marrë pjesë në 23 gola të 22 ndeshjeve të Serie A, me 17 gola dhe 6 asiste.

Me të në fushë, Milani gjithmonë fillon me një avantazh ndaj kundërshtarëve të vet. Nuk mungojnë edhe batutat pas ndeshjes: “Unë munda Ibrahimovic të 2012-ës, i cili ishte më i vjetër. Tani jam më i ri! Kur arrita 6 muaj më parë, Milani donte një kontratë më të gjatë, por të jem i sinqertë, kërkova të nënshkruaj vetëm për 6 muaj. Por nëse vazhdoj, i them Maldinit: nëse nuk më nënshkruan edhe një vit, nuk do të luaj në ndeshjen e radhës”.

Ibrahimovic kryeson renditjen e shënuesve të Serie A me 7 gola. Milan ka 10 pikë më shumë se një vit më parë dhe deri më tani ka arritur 24 ndeshje pa humbje. Vendi i parë me 16 pikë, me 5 fitore në 6 ndeshjet e para, është njësoj si me Capellon më 1995-1996 dhe Ancelotti më 2003-2004, kur i fituan titujt.

Cristiano Ronaldo kthehet, Juventusi ringjallet. U desh rikthimi i CR7 që kampionët e Italisë të gjejnë golat dhe paraqitjen e mirë, sidomos në 45′ e dyta ndaj Spezias. Në fund, Juventus fitoi 4-1 në transfertë.

Qershia mbi tortë e Ronaldos në këtë paraqitje ishte panenka nga penalltia, i qetë, thjesht dhe festë. Bardhezinjtë kalojnë kështu me Interin në renditje dhe shkojnë 12 pikë pikërisht në 123 vjetorin e krijimit të klubit. Ronaldo thumboi zikaltrit pas kësaj fitoreje:

“U ktheva të bëj atë që më pëlqen, të luaj futboll. Është një kampionat konkurrues. Kemi Milan, Lazio, Napoli, etj. Ne duhet të punojmë shumë. Cristiano është kthyer. Kjo është gjëja e rëndësishme.”

Cristiano Ronaldo ngjitet në kuotën e 5 golave, 2 më pak se Ibrahimovic që kryeson në Serinë A. Por portugezi ka luajtur vetëm në 3 ndeshje, madje sipas statistikave, ka shënuar 1 gol çdo 40 minuta lojë në kampionat.

Po nëse Ronaldo nuk gabon, duke se më i pafati te Juventus është Morata, plot 5 gola të anuluar këtë sezon në Champions dhe kampionat. Gjithsesi, spanjolli ka realizuar katër gola për Juventusin pas rikthimit, 2 në Champions dhe 2 në Serinë A.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN