Pas denoncimit të bujshëm nga kreu i PD-së Lulzim Basha, manipulimi i shifrave të vdekjeve nga Covid-19 u shndërrua në debat plot dilema në opinionin publik.
I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, Besnik Jakaj, ish-drejtor i ISHP-së, lidhur me këtë çështje është shprehur se vdekjet në shtëpi nuk regjistrohen si të shkaktuara nga Covid, duke e ngritur këtë si një problem. Hendekun mes shifrave ai e lidh me raportimin e vdekjeve, i cili bazohet në tamponim.
“Ne raportojmë në spitalet Covid, vetëm vdekjet me SarsCovid2 që ndodhin brenda spitalit Infektiv, Covid2-it të Sanatoriumit dhe Covid 3-it. Kemi një problem, i raportojmë ato bazuar mbi tamponimin. Të gjithë profesionistët e Shëndetit Publik më kuptojnë që ligjërisht shkon deri në 30% fals-negativiteti që do të thotë: Ne kemi personazhe publike që janë bërë mediatike, është negativizuar pacienti me tampon, por nuk është 100% e vërtetë kjo dhe pas 2 ditëve ka humbur jetën në shtëpi dhe nuk është regjistruar Covid”
Jakaj është shprehur se Sars Covid është një grip i thjeshtë. Sipas tij është e turpshme që rastet e infektuara të duhet të fluturojnë me chartera drejt shteteve të tjera.
“Nuk është një dramë në vetvete Sars-i. Në finale është grip. Të fluturojnë chartera pafund, është e turpshme, sepse është një mjekim simptomatologjik, në bazë të dëmtimit. Është një virus, që sipas dobësisë organike të individit vepron.”
Sipas Jakaj, në Infektivin e Tiranës do të duhej të mblidheshin vetëm rastet e rënda, pasi të lehtat mund të trajtoheshin edhe në spitalet rajonale sa kohë parashikohet të kenë infeksionist e pneumolog. Sipas tij kjo është edhe ajo çka ka sjellë në problemin real atë se “Kush po luan me vdekjet?”