“Dua të jem i qartë, pasi nuk ka asnjë mënyrë tjetër për përballimin e situatës së krijuar”, deklaroi ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza në Dhomën e Ulët të parlamentit italian për gjendjen e krijuar në spitalet e vendit pas valës së dytë të Covid-19.
“Pa kufizime të rëndësishme në lëvizje, pa një ndryshim thelbësor në mënyrën tonë të jetës, pa respektim të rreptë të rregullave të sigurisë, bashkëjetesa me virusin derisa të vijë një vaksinë është e destinuar të dështojë në mënyrë spektakolare”, theksoi ai.
Në shumë spitale të vendit po mbarojnë shtretërit për pacientët Covid-19.
Në Novara, në Piemonte, një spital ndaloi marrjen e ambulancave për disa orë gjatë fundjavës. Një trend tjetër shqetësues ishte rritja e pacientëve në kujdesin intensiv: ata tejkaluan shifrën 2 500, me 44% më shumë në javë dhe gati tetë herë më shumë se një muaj më parë.
Shoqata italiane e mjekëve dhe e kirurgëve ka bërë thirrje për një bllokim mbarëkombëtar, teksa vendi përballet me rritje të rasteve nga koronavirusi, dhe me rritjen e shtrimeve në spitale. Nëse trendi vazhdon, Italia do të regjistrojë edhe 10 mijë viktima në një muaj, tha të dielën presidenti i shoqatës Filippo Anelli.
Kurba e infeksionit në Itali nuk po tregon shenja të rrafshimit, pasi një stabilizim i dukshëm në fillim të kësaj jave u ndoq nga një rritje e madhe e rasteve. Të premten, vendi vendosi një rekord të ri për infeksionet ditore – 37 809 – dhe raportoi 446 vdekje të lidhura me Covid-19, shifra më e lartë ditore që nga 2 maji.
Numri i përgjithshëm i infeksioneve u rrit në 862,681 raste, ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave arriti në 40,638, treguan të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile.
“Është koha që të gjithë të shkojmë në të njëjtin drejtim dhe të luajnë më pak lojëra politike, përndryshe i gjithë vendi do të gjunjëzohet”, deklaroi Massimo Galli, një virolog i njohur në spitalin ”Sacco” të Milanos në një konferencë shtypi me median e huaj.