MENU
klinika

“Loja-zinxhir” e shteteve

Jo, vaksinës? Jo edhe fluturimeve!

27.11.2020 - 15:24

Jo, vaksinës? Jo edhe fluturimeve, atëherë! Australianët që do të dëshirojnë të udhëtojnë ndërkombëtarisht, së shpejti mund të kenë nevojë për një pasaportë digjitale të vaksinës, që tregon nëse janë vaksinuar për koronavirusin dhe a janë “të pastër” për të fluturuar.

Nisur nga testimet tanimë të kryera, shtetasit austrialianë do të shkarkojnë një aplikacion, si pasaportë udhëtimi në smartphone-t e tyre, i ngjashëm me aplikacionin qeveritar “COVID Safe”.

CEO i Qantas, Alan Joyce është shprehur për mediat se parashikonte një të ardhme në të cilën austrialianët duhet të kenë kryer patjetër vaksinën, në rast se dëshirojnë të udhëtojnë ndërkombëtarisht në linjën e tij ajrore.

“Ne po shikojmë të ndryshojmë termat dhe kushtet tona, për udhëtarët ndërkombëtarë, duke iu kërkuar njerëzve që të vaksinohen përpara se të hipin në avion” u shpreh Joyce.

Sipas drejtorit ekzekutiv të linjës ajrore Qantas, vaksinimi është një domosdoshmëri, pasi qeveritë duhet të krijojnë strategji të sigurta për hapjen e kufijve internacionalë.

Një leje udhëtimi dixhitale e lidhur me telefonat smart të udhëtarëve, e cila do të tregojë lejen për kalim të sigurt, së shpejti do të aprovohet nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).

Gjigandi amerikan “United Airlines”, gjithashtu ka prototipuar një pasaportë dixhitale në itinerarin e saj Nju Jork-Londër.

Nga ana tjetër, Ministri Federal i Shëndetësisë, Greg Hunt është shprehur se qeveria nuk kishte vendosur nëse do t’i bënte të detyrueshme vaksinimet për vizitorët ndërkombëtarë.

Sidoqoftë, dokumenti i qeverisë për politikat e vaksinimit COVID-19 përfshin një dispozitë që kushdo që nuk bën vaksinën e koronavirusit, mund të ndalet në kufi.

“Mund të ketë rrethana kur Qeveria Australiane dhe qeveritë e tjera mund të vendosin kërkesa për hyrje ose ri-hyrje në kufi që kushtëzohen nga prova e vaksinimit” shkruhet në dokumentin shtetëror.

Duke qenë se asnjë vaksinë nuk është aprovuar dhe një shpërndarje efektive do të zgjasë shumë muaj, Qantas tha se çdo politikë e tillë do të ishte pak kohë larg.

Industria e linjave ajrore po përpiqet urgjentisht të rivendosë udhëtimet ndërkombëtare pa nevojën e karantinës së zbatuar nga qeveria, e cila në thelb vret kërkesën për udhëtime ajrore.

Emirates, transportuesi i Emirateve të Bashkuara Arabe, po kryen teste të koronavirusit në vend me analiza të shpejta përpara se pasagjerët të hipin në avionët e tyre.

Udhëtimet ajrore ndërkombëtare mbeten 90% më poshtë, krahasuar me vitin 2019, sipas të dhënave të IATA.

“Njerëzit duan dhe kanë nevojë për lëvizje globale – tha shefi i IATA, Alexandre de Juniac – Ne duhet ta menaxhojmë mënyrën se si jetojmë me virusin, por kjo nuk do të thotë të shkatërrosh aviacionin, duke rrezikuar miliona vende pune, duke dëmtuar ekonomitë dhe duke copëtuar strukturën shoqërore ndërkombëtare.”

De Juniac pretendoi se ishte e mundur të “hapësh kufijtë në mënyrë të sigurt sot” me testimin sistematik të COVID-19.

Qeveritë dhe industria e aviacionit po shikojnë me padurim progresin e disa vaksinave, të cilat duket se janë gati të përhapen me sukses vitin e ardhshëm.(scan)