MENU
klinika

NGA AGRON GJEKMARKAJ

“Ligji për Presidentin si test i Ramës përtej Metës, pse është puç kushtetues ndaj të vetmit institucion që i ka mbyllur gojën dhe s’ia blen dot heshtjen”

09.11.2020 - 14:11

Atë që nuk e merr me të mirë Edi Rama, përpiqet ta marrë me forcë. Kur nuk ia del as me të dytën, ndërton një mekanizëm propagande për ta përqeshur e tallur të pakapshmin. Një tagër ky i përfituar vit pas viti i cili ngjan si mishelë inferioriteti, nënshtrimi e interesash të të gjithë atyre që janë shndërruar në palaço oborri në këmbim përfitimesh. Ata janë meremetuar si vitrina ekspozuese e tezave të tij kinse komike, por me thelb të qartë detraktues. Në këtë mënyrë ai tenton të relativizojë tjetrin në raport me opinionin publik, a thua se vetë është i panjolli, i lari, i ndershmi, i urti, i pagabueshmi, i dituri, i drejti, i dhembshuri, punëmbaruari si ai, vetë thëllëza që shkel mbi vesë nga dëlirësia.

Këtë strategji po tenton edhe me Ilir Metën, i cili ngjan t’i ketë refuzuar ofertat e tij të fundit, të cilat mund t’i jepnin paqen e llokmat e saj në vend të luftës. Presidenti e ka trashur gjuhën me një kod brenda së cilit shtrihet historia e gjatë e njohjes, bashkëpunimit apo ndarjeve mes tyre. Mbase ai e ka vëzhguar më nga afër, më mirë Kryeministrin tonë në të gjitha dritëhijet e veta. Rama po kaq shoqin. Meta lë të kuptojë se e di deri ku mund të shkojë Edi Rama, por edhe piken ku e si mund të ndalet. Ndërsa njohjen e plotë, atë baziken e po kaq befasuese, e cila i ka shtrënguar të dy të shkojnë te gjuha radikale, e kanë plotësuar këto vite njëri si kryetar i shtetit, tjetri si kryetar i gjithëpushtetit. Edi Rama prej 23 vitesh është një nga njerëzit më të pushtetshëm të këtij vendi, ndërsa 8 prej tyre më i pushtetshmi.

Shqipërisë i ka marrë gjithçka dhe ende i kërkon gjithçka, në fillim si liberal, tani si sundues; në fillim si lypës, tani si rrëmbyes; në fillim i ndrojtur e frikacak, tani mujshar e arrogant; dikur i rrethuar me intelektualë elitarë, tani me kriminelë po kaq të tillë.

“Estetët”, “kalorës galantë” të qytetërimit e fjalës nazike ndonëse me vakume kulturore, të cilët për maksimum intelektual, sintezë të botës dhe orgazmë kanë fjalimet e Edi Ramës, bëjnë sikur çmeriten nga gjuha e fortë e Ilir Metës. Natyrisht, kjo gjuhë do të ishte e dënueshme nëse Edi Rama do të shfaqej para nesh si një mbrojtës i demokracisë dhe parlamentarizmit. Do të zinim kokën me grushte nëse ai do të ishte një lider politik që nuk bën zgjedhje të njëanshme moniste duke refuzuar atë që nuk është e veta. Do murrëteheshim si dreqërit në aksham nëse ai nuk do të kishte bashkëpunuar me botën e krimit, duke u dhënë atyre përfaqësim politik në Parlament e pushtet lokal, e mbi të gjitha, duke pranuar nga ata ndihmën për vota siç e rrëfejnë dosjet 339 e 184, tanimë të famshme për ekspozenë e tyre e po kaq për pandëshkueshmërinë. Djersë të ftohta do të na shkonin për lug të shpinës nëse ai do të merrte kosën në dorë për të prerë jonxhë e ashtu nga mesi e përpjetë zhveshur në pishak të diellit si në reklamën e fushatës së 2009-ës për të korrur kanabis me Saimir Tahirin , Ardi Veliun e Sandër LLeshin, si kosëtarë të vesit në emër të virtytit.

Do të thartoheshim në fytyrë sikur të kishim ngrënë spec djegës mali, duke psherëtirë nëse do të punonte për moskapjen e Gjykatës Kushtetuese e të sistemit të drejtësisë, duke e bërë të dashur reformën te qytetarët. Mideja do të na pështjellohej nga fjalori i Ilir Metës deri në gulçe nëse nuk do të ekzistonte shembja e Teatrit Kombëtar, PPP-të për oligarkët, inceneratorët, prishja e marrëveshjes së 5 qershorit apo debate për detin me Greqinë si mjegull paraelektorale që askush të mos merret me masakrën që përgatitet në horizontin e zgjedhjeve. Ah sa do ta përbuznim Ilir Metën nëse Edi Rama do të kishte marrëdhënie të mira me Kryeministrat e Kosovës, nëse nuk do t’i padiste në gjykata, nëse nuk do të përdorte kundër tyre fjalor rruge, nëse do të punonte që krimet e Serbisë dhe Aleksandar Vuçiçit të denoncoheshin faqe botës! Si zog dreqit, djalli vetë do të na dukej Presidenti nëse për shqiptarët që ikin, ikin, ikin Kryeministri na jepte lajme që ata kthehen, kthehen, kthehen. Të therura në stomak, angështi e veleritje do të provonim për këtë rënie stili me të cilën akuzohet “Kryeshërbëtori”!

Nëse të gjitha këto “nësera” nuk do të shtroheshin, ah sa e rëndë dhe e pavend do të na dukej “rrëshqitja” e Metës. Do të duhej një peticion me të lutura e të qara rrëke Ulsiut që ta riaktivizonte komisionin e shkarkimit.

Sot pyetja që duhet bërë është vetëm një: a thotë të vërtetën Presidenti i Republikës, apo jo?! Për fat të keq, po! Kjo e vërtetë e përligj tonin, madje e bën të shfaqet atë si tejet elegant e modest, gati-gati aristokratik. Të duhurin!

Edi Rama dhe disa ambasadorë kanë prej 5 vitesh që na thonë se do të hapen negociatat ndërsa Ilir Meta thotë të kundërtën, bashkë me arsyet pse dhe e vërteta është se ato nuk hapen. Ne vetëm dëbohemi nga Europa, që na vë në shpinë thesin me kushte e në fytyrë na përplas pabesitë e qeverisë.

“Venecia” i jep të drejtë Presidentit për çdo ankesë dhe e vërteta shkon përsëri në anën e tij.

Ne, sipas regjisë së Ramës, merremi me tonin dhe etikën e komunikimit kur këtu po shkon gjithçka për lesh e dreq, demokracia, ekonomia e siguria, shkatërrimi i të cilave siguron absolutizëm vetëm për një individ dhe sharofët me fytyrën si shollë kundre, që as skuqen, as zverdhen për çdo shërbim të ndyrë që bëjnë. Më i fundit, natyrisht i urdhëruar, është projektligji për kompetencat e Presidentit në konflikt të hapur interesi. Në dorë të tre kamerierëve të Kryeministrit, të Ulsi Manjës, Adnor Shametit dhe të enciklopedistit Alket Hyseni, që edhe mjekrën e ka lënë si Rama, me shpresën që ky imitim i jep një tjetër mandat në Sarandë, ka mbetur legjislacioni dhe Kushtetuta e Shqipërisë për interpretim. Kuku, moj nanë!

Maxhoranca dhe Kryeministri prej kohesh janë përfshirë në një sulm të hapur në adresë të Presidentit të Republikës, për faktin se është i vetmi organ kushtetues që ka mbetur i pakapur prej tij e tyre. Aktet antikushtetuese të maxhorancës kanë pasur përballë vetëm Presidentin nga pikëpamja institucionale pas largimit të opozitës nga Kuvendi. Kujtojmë këtu emërimin e Prokurorit me 69 vota kur duheshin minimalisht 84 dhe uzurpimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Qeveria u kap në flagrancë në një megaskandal në projektin e Unazës së Re, duke pranuar falsifikimin e dokumenteve edhe këtu Presidenti u shfaq me denoncime nëpërmjet një raporti voluminoz dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.

Maxhoranca gjatë 2017-2018 bllokoi veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Edhe në këtë nismë Meta iu qëndroi përballë me dokumentacion dhe retorikë që kulmoi me Gjykatën Kushtetuese, e cila synohej të kontrollohej plotësisht nga qeveria. Nëse juristët mjekërbardhë të “Venecias” nuk e ndalnin, Rama ishte gati që betimet e gjykatësve të bëheshin ndanë Lanës në çdo kioskë noteriale.

Në këtë çështje, ish-kryetari i KED-së, ministri i Drejtësisë, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Qendra për Botime Zyrtare, bënë përpjekje militanteske për t’i rrëmbyer kompetencat Presidentit. Në këtë tollovi “ra dëshmor” Dvorani. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

“Venecia” edhe këtu i dha të drejtë Metës në raportin e qershorit 2020. Vendi pa Gjykatë Kushtetuese është në duart e një personi te vetëm dhe në interesin e ngushtë të tij. Bllokimi i Cakajt, një personazh qesharak, LLeshajt për mbajtjen e gradës së gjeneralit dhe rrogës që merrte prej saj, arsyet që paraqiti për ta, spostimi i datës së zgjedhjeve me synimin që të shmangej procesioni monist, paditë për Teatrin Kombëtar, e kanë nxjerrë vazhdimisht Presidentin në tabelën e qitjes qeveritare. Në këtë garë me pompën e ujërave të zeza në vend të gojës janë dalluar ministresha, ministrushër, një levrek Karavastaje, si dhe një aradhë e madhe gajdexhinjsh e zavallesh proqeveritare.

Prej vitit 2008 e këtej ka pasur përpjekje të vazhdueshme për ta shndërruar në kukull pozicionin e Presidentit të Republikës, dobësimi i të cilit rrit tendencat autoritariste të Kryeministrit. Tani po përgatitet një ligj, dhe sa herë Presidenti ushtron kompetencat e tij kushtetuese për të dekoruar, për të emëruar, u tund si kërcenim ligji ndëshkues. Tani duket si puç kushtetues, kur maxhoranca sërish pa asnjë mekanizëm kontrolli vendos të shkatërrojë kompetencat e të vetmit institucion në hierarkinë shtetërore të cilit s’i ka mbyllur gojën, s’i ka ndalur dorën dhe s’i ka blerë heshtjen.

Historia po tregohet bujare me Ilir Metën, sepse e ka vendosur atë në pozicion e Kreut të Shtetit pikërisht në kohën kur shtetin një hap e ndan nga shndërrimi në pashallëk. Lufta që kjo të mos ndodhë e nderon Presidentin dhe të gjithë ata që i bashkëngjiten asaj. Më këtë, si qytetar, nuk marr anën e politikanit Ilir Meta, por të Presidentit të Republikës, përpjekjet e të cilit përputhen me interesin publik. Ilir Meta nesër ikën, por Presidenti mbetet dhe ai duhet të mbetet si roje e Kushtetutës, jo si kopil i përdhunimit të saj orë e çast nga epshe e instinkte të çmendura pushteti. Lufta e Ilir Metës është vetëm e tija, me tonet e larta e të ulëta, me interesat e rastit e të çastit, të sotmet e ato për nesër, ndërsa ajo e Presidentit është e të gjithë atyre që duan pushtete të balancuara apo pengesa që i bëjnë ato të tilla.

Presidenti nuk duhet lënë vetëm nga faktorët që duan garanci kushtetuese apo ndryshim që ato të rithemelohen. Kush di ta lexoje ligjërimin e Ramës, do ta kuptojë që ndjell, sponsorizon këtë vetmi si në vitin 2017, duke tentuar kompleksime etike, pikërisht ai që kundër etikës, kur nuk e shohim, përdor shampo. Ligji kundër Presidentit është një test i tij që shkon përtej Ilir Metës.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Të qofte e lehtë lëndina…Je kudo i shpërndarë në veprat e tua!"

In Memoriam/ Agron Gjekmarkaj kujton takimin e fundit me Arben Bajon