Edhe pse ndodhemi në kohë pandemie në Berat ka filluar zbukurimi i qytetit për festat e fundvitit. Bashkia e Beratit ka nisur këtë vit më herët zbukurimin e qytetit me drita dhe pemën për festat e fundvitit, për t’i dhënë pak më shumë energji pozitive banorëve në një situatë kur i gjithë vendi po përballon një pandemie të rëndë nga virusi Covid-19.
Dritat festive, të vendosura në të gjitha hapësirat publike të qytetit antik të Beratit, e kanë zbukuruar qytetin duke e shndërruar në një qytet vërtet “magjik”.
Dje në mbrëmje Berati ka ndezur dritat e zbukurimeve të vendosura në të gjitha pemët përgjatë Pedonales së qytetit, ndërkohë që edhe rrugët janë mbuluar nga dekori që këtë vit kanë nisur shumë më herët. Ndriçimi me drita shumëngjyrëshe është realizuar edhe në dy urat mbi lumin “Osum”, Urën e Goricës dhe Urën e Varur, dritat e të cilave kanë reflektuar si një “ylber” mbi lum. Dritat janë ndezur vetëm për zbukurimet, ndërsa pema ende nuk ka përfunduar. Banorët ndihen të gëzuar me atmosferën festive që është krijuar në qytet, ata kanë dalë në rrugët e zbukuruara dhe në Pedonale, jo vetëm për të shijuar atmosferën ndriçuese por edhe për të bërë foto si kujtime të bukura në kohë pandemie.