MENU
klinika

Klubi anglez me plan

Manchester City rrëmben Messin që në janar?

03.11.2020 - 12:01

Pas largimit të presidentit Josep Bartomeu edhe sulmuesi argjentinas Lionel Messi mund t’i thotë lamtumirë Barcelonës që në janar. Mediat britanike konfirmojnë se skuadra e Manchester City po përgatit një ofertë të çmendur për sulmuesin argjentinas, për ta bindur atë të ndryshojë fanellë si dhe skuadrën katalanase për ta lënë të lirë që në merkaton e janarit.

Manchester City u përpoq ta sillte lojtarin që në merkaton e verës, por dështoi. Ndërsa tani, skuadra e trajnerit Pep Guardiola kërkon të përfitojë nga kaosi që zotëron te Barcelona pas dorëheqjes së presidentit Bartomeu. Për më tepër që Barcelona kërkon burime financiare për të ardhmen dhe një ofertë e mirë nga Premier League do të largonte krizën.

Sipas rregullores, një futbollist që është në vitin e fundit të kontratës dhe nuk rinovon, 6 muajt e fundit ka të drejtë të negociojë për skuadrën e ardhshme dhe të firmosë parakontratë. Këtë klauzolë kërkon ta shfrytëzojë Manchester City.

Kjo edhe për faktin se në muajin mars janë zgjedhjet presidenciale te klubi i Barcelonës dhe drejtuesit e Cityt kanë frikë nga ndonjë joshje e mundur nga kreu i ri i blaugranave. Klubi anglez është i gatshëm të paguajë për ta marrë Messin që në janar, edhe pse në fund të qershorit ai mund të shkojë te Sitizenz me parametra zero.