MENU
klinika

"SPAK të hetojë Qeverinë dhe Parlamentin"

Meta kthen ligjin për Hidrokarburet: Antikushtetues

09.11.2020 - 10:30

Presidenti Ilir Meta ka kthyer mbrapsht ligjin për Metrologjinë dhe i kërkon SPAK që të hetojë mbi natyrën e kësaj nismeje, që sipas tij krijojnë mundësi për korrupsion dhe klientelizëm.

“Si President i Republuikës, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për të verifikuar se si është ndërmarrë dhe shqyrtuar nisma nga qeveria dhe cilat kanë qenë arsyet reale dhe autorët që e kanë shtyrë Kuvendin e Shqipërisë të pranojë këtë gjendje të rëndë, duke vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë ndihmuar, lehtësuar dhe kanë bërë të mundur që kjo nismë të shohë dritën e miratimit në Kuvend”, thuhet në argumentin e presidentit.

Pjesë nga raporti:

Ky ligj, siç dhe do të shpjegohet në vijim, në disa dispozita të tij krijon hapësira për zhvillimin e praktikave korruptive dhe shtron terrenin që këto praktika në dëm të interesit

të popullatës dhe interesit publik, të realizohen drejtpërdrejtë përmes ligjit dhe mbrojtjes që ai ofron për subjektet që do t`i realizojnë ato. Këto dispozita që do të analizohen në vijim e bëjnë praktikisht edhe pjesën tjetër të ligjit nr. 126/2020, të papranueshëm për dekretim me shpallje.

Për gjithë arsyet të cilat do të parashtrohen në vijim, si President i Republikës, në mbështetje të nenit 85, pika 1, kam vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 126/2020 “Për metrologjinë”.

I. Shklejet që përmban ligji nr. 126/2020 dhe si i hapet rruga përmes parashikimeve ligjore, praktikave abuzive.

Ky ligj, i cili ka për objekt përmirësimin e kuadrit rregullator për veprimtaritë në metrologjinë shkencore, sistemin e njësisë së matjes, standardet e matjes, bazat për të siguruar gjurmueshmërinë e matjes, kontrollin metrologjik ligjor të instrumenteve matëse dhe rregullat për organizimin e funksionimin e sistemit kombëtar metrologjik në Republikën e Shqipërisë, në fakt, në tërësi të tij përfshin parashikime që bëjnë të mundur lehtësimin sa më shumë të procedurës që një shërbim publik që është dhe duhet të ngelet përgjegjësi e organeve publike për t`u ushtruar, të kryhet nga subjekte private,

– pa një procedurë të qartë dhe të mirëpërcaktuar ligjore të përgjegjësisë;

– pa kritere ligjore konkurrueshmërie; dhe ç’ka është akoma më e rëndë,

– duke mbyllur me vetëdije çdo hapësirë për kontrollin dhe monitorimit nga shteti të mënyrës se si ky shërbim publik i deleguar për t`u ofruar/ushtruar nga një subjekt privat, po realizohet në praktikë.

Argumentet kryesore

Përmes këtij ligji shteti heq dorë nga një shërbim tërësisht publik. Jo vetëm që heq dorë nga përgjegjësia e tij publike, por kufizon çdo mundësi kontrolli dhe të subjekteve private që do të jenë përfitues të ushtrimit të këtij funksioni me karakter publik.

Përmes këtij ligji: Një shërbim shtetëror, pa konkurrim, pa kritere të përcaktuara në ligj, pa studim fizibiliteti, ekonomik, social e mjedisor, me vendim të një Drejtori, mund t`i jepet lehtësisht me autorizim një privati.

Ky shërbim është i detyrueshëm për t`u marrë nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në një fushë të caktuar.

Subjektet private në vijim duhet të shkojnë të marrin shërbimin/verifikimin pranë subjektit “të autorizuar” privat.

Ndaj subjektit privat “të autorizuar”, nuk ushtrohet asnjë kontroll i mirëfilltë në rastet e abuzimeve.

Subjekti “i autorizuar” privat nuk kalon dot asnjë kontroll të plotë, edhe nëse në marrëveshje të ndaluara me subjekte të tjera private, nuk e ushtron siç duhet funksionin e deleguar, në dëm të interesave të konsumatorëve.

Për ilustrim:

Në praktikë, dëmi që shkakton parashikimi i këtij ligji për mungesën e procedurës së kontrollit mund të jetë më i qartë duke u ilustruar me shembullin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse, si psh. të karburantit dhe gazit të lëngshëm, që kryhet nga një subjekt privat:

Nëse subjekti privat “i autorizuar”, kryen marrëveshje të pandershme me subjektin tjetër privat që ofron direkt (me pakicë apo shumicë) për qytetarët karburantin apo gazin e lëngshëm, dëmi është kolosal në kurriz të qytetarëve, që do të paguajnë përmes taksave indirekte:

-pagat për Drejtorin dhe stafin e Drejtorisë (DPM) që funksionin e tyre shtetëror ia delegojnë me autorizim për t`u kryer nga subjekti privat;

-kostot financiare në buxhet të shkaktuara nga “autorizimi” i subjektit privat dhe operimi i shërbimit publik prej tij; por mbi të gjitha,

-në rastet abuzive e thuajse të pamundura për t`u kontrolluar, do të paguajnë edhe për karburantin që e blejnë më pak në sasi e cilësi, por e paguajnë sikur kanë blerë më shumë.

Ky akt synon të ligjërojë një skemën për qëllime klienteliste, dhënien me koncesion te një subjekt privat, në mënyrë të pakontrolluar të shërbimit shtetëror, dhe pa negociuar asnjë interes shtetëror.

Shmang konkurrencën e lirë. Dëmton interesin publik. Cenon interesat e shtetasve dhe të konsumatorit. Cenon financiat publike. Krijon shteg për abuzim me të drejtat e konsumatorit në tërësi. Prodhon kosto shtesë për një shërbim që duhet të kryhej nga shteti.

Për gjithë sa u parashtrua më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr. 126/2020 “Për metrologjinë”, pasi ky ligj jo vetëm që bie ndesh me parimet themelore të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por ai në mënyrën më flagrante,

– sanksionon konkurrencën e pandershme dhe rrezikun e shtimit të praktikave korruptive;

– ligjëron ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të caktuar privatë duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues; dhe

– është shembulli se si ligjvënsi nuk ushtron më veprimtarinë dhe vendimmarrjen në mbrojtje të interesit publik, por në mbrojtje të një pakice subjektesh private.

Presidenti konstaton se, përveçse ky ligj ka nivel të lartë antikushtetutshmërie, nga përmbajtja e tij reflekton qartë se fenomeni i korrupsionit legjislativ ka përfshirë edhe këtë nismë ligjvënëse në Kuvendin e Shqipërisë.

Në këtë mënyrë si President i Republuikës, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për të verifikuar se si është ndërmarrë dhe shqyrtuar nisma nga qeveria dhe cilat kanë qenë arsyet reale dhe autorët që e kanë shtyrë Kuvendin e Shqipërisë të pranojë këtë gjendje të rëndë, duke vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë ndihmuar, lehtësuar dhe kanë bërë të mundur që kjo nismë të shohë dritën e miratimit në Kuvend.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN